Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kuriozitet

Qytetërimi kinez daton 6,000 vjet më parë

Autoritetet kineze kanë njoftuar një sërë arritjesh të reja të një projekti të madh kërkimor lidhur me origjinën e historisë 5 000-vjeçare të Kinës, sipas CRI-së.

Studimi “Kërkim gjithëpërfshirës për origjinën e qytetërimit kinez dhe zhvillimin e hershëm të tij”, synon të kuptojë se si është formuar qytetërimi kinez dhe se si u integruan me njëri-tjetrin qytetërimet e ndryshme në vend, transmeton ATSH.

Studimi përfshin gërmimet në më shumë se 40 vendndodhje të lashta, duke përfshirë Liangzhu-në në provincën Zhejiang, Taosi-në në provincën Shanxi dhe Shimao-n në Shaanxi.

Që prej vitit 2001, kanë përfunduar katër faza të ndryshme të projektit.

Gërmimet kanë zbuluar atë që besohet të jetë sistemi më i hershëm i digave në botë, pallatin e parë perandorak në Kinë dhe prototipin e hieroglifeve kineze të sotme.

Guan Qiang nga Zyra Shtetërore e Relikeve Kulturore vëren se besohet se qytetërimi kinez mund të datojë gati 6 000 vjet më parë:

“Shenjat më të hershme të qytetërimeve u shfaqën rreth 5 800 vjet më parë në rrjedhën e poshtme dhe të mesme të Lumit të Verdhë dhe të lumit Jance, si dhe përgjatë degëve më të mëdha të lumit Liao në pjesën jugore të Kinës Verilindore. Rreth 5 300 vjet më parë, ne besojmë se të gjitha rajonet në të gjithë Kinën e sotme kanë hyrë në një periudhë qytetërimi”.

Edhe Si e spiunon Kina Mbretërinë e Bashkuar Botë 8 muaj më parë Si e spiunon Kina Mbretërinë e Bashkuar

Studiuesit kinezë kanë zbuluar gjithashtu se rreth 3 800 vjet më parë, një formë më e konsoliduar qytetërimi u shfaq në Kinën Qendrore e filloi të rrezatonte ndikimin e vet, duke e bërë këtë zonë një forcë kryesore në zgjerimin e qytetërimit kinez.

Ata gjithashtu kanë konfirmuar se origjina dhe zhvillimi i hershëm i qytetërimit kinez është rrjedhojë e një procesi të integrimit të qytetërimeve të ndryshme. Një gjë e tillë mendohet të ketë çuar jo vetëm në themelimin e dinastive Xia, Shang dhe Zhou, por edhe në krijimin e atij vendi shumetnik që është Kina sot.

Ndërkohë që, studiuesit kanë vënë në dukje gjithashtu ndikimin që ka pasur qytetërimi kinez nga jashtë, duke përfshirë futjen e teknikave për kultivimin e grurit, mbarështimin e lopëve e deleve, si dhe shkrirjen e bronzit.