Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kuriozitet

Policia turke gjen kokainë në fotografitë e Maradonës

Policia turke ka sekuestruar 2 kilogramë e gjysmë kokainë që ishin fshehur në portretet e legjendës së futbollit, Diego Armando Maradona.

Policia ka arrestuar trafikuesin e drogës, që u identifikua si një shtetas gjerman me prejardhje kroate. Ai u kap në aeroport, kur iu zbuluan portretet me drogë, sasia e së cilës në tregun e zi kap vlerën prej 250 mijë eurosh.

Maradona, njëri prej lojtarëve më të mirë në histori të futbollit, bëri emër në vitin 1986, kur fitoi Kupën e Botës me Argjentinën. Fama e tij filloi të zbehej në vitin 1994, kur u përjashtua nga Kupa e Botës për abuzim me substanca narkotike. Gjashtë vjet më vonë Maradona gati sa nuk vdiq nga sulmi në zemër, për shkak të përdorimit të kokainës. Ylli i botës së futbollit vdiq më 25 nëntor, më pak se një muaj pas ditëlindjes së tij të 60-të.