Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kuriozitet

Pensionisti që për 20 vjet gjelbëroi të gjithë lagjen

Ky park është vend i veçantë për 81-vjeçarin, Vladimir Kormshchikov. Ai e viziton atë përditë.

Këtu nuk e kalon vetëm kohën e lirë, por edhe punon.

I ka kaluar plot 20 vjetët e jetës së tij në këtë vend dhe gjatë kësaj kohe e ka shndërruar krejtësisht parkun e pjesës së harruar të Permit.

“Gjatë viteve të kaluara, siç mund ta shihni, kam mbjellë pemë, kaçube, një mur të gjelbër, bar, kam vendosur monumente. I kam ndërtuar të gjitha këto vetë”, ka thënë ai.

Hapësira e gjelbëruar ngërthen edhe një park lojërash për fëmijë.

Pensionisti ka vendosur disa monumente kushtuar luftëtarëve të Luftës së Dytë Botërore. Ai vetë i bën dizajnet dhe i zgjedh materialet.

Hapësira dikur ishte e lënë krejtësisht pas dore dhe ishte kapluar edhe nga zjarri. Pasi e kishte shpëtuar nga djegia, vendosi që ta gjallëronte.

Por bëri më shumë se kaq –ka krijuar një hapësirë që po shfrytëzohet dhe po pëlqehet nga i gjithë komuniteti.

Ndonëse Kormshchikov është personi kryesor që qëndron prapa parkut, ai është ndihmuar shumë edhe nga banorët. Njëri prej tyre është Kiril Zhirulevi.

“Ky është vend i mirë dhe më e rëndësishmja është se dikush po përkujdeset për të. Zakonisht dikush e ndërton një park, por më pas askush nuk kujdeset për të dhe përfundon i mbushur me shishe e mbeturina. Porse këtu, Vladimir Mikhailovich po përkujdeset vazhdimisht dhe kjo ka shumë rëndësi”, ka thënë ai.

Kormshchikov shkon në park çdo ditë në orën 08:0 dhe e kryen punën në orën 22:00. Pushon vetëm dimrit.

Ka pranuar letra falënderimi nga qarku dhe udhëheqja e qytetit.

Por momenti më i veçantë në jetën e tij thotë se ishte kur e fitoi çmimin “Planeti i Gjelbër” nga “National Geographic”.

Në të ardhmen e afërt, ai planifikon që ta përfundojë ndërtimin e monumentit të tretë në park, teksa synon që ta ndërtojë edhe një fushë sportive dhe të mbjellë pemë të reja.

Artikuj të ngjashëm