Një pasagjer filloi të shante e kërcënohet pasi që fluturimi i mbrëmshëm nga Billundi i Danimarkës që ishte paraparë të ateronte në Tuzla, u desh të ulej në Beograd. Devijimi u bë për shkak të mjegullës, raporton “24sata.hr”.
Madje pasagjeri kishte kërcënuar edhe të hapte derën e aeroplanit.
Sipas mediumeve, bëhet fjalë për shtetasin danez Sulejman Imamoviq.
Ai u arrestua në Beograd dhe ndaj tij janë ngritur akuza.
Për shkak të mjegullës, aeroplani i kompanisë Wizz Air nuk ishte në gjendje të ulej në Tuzla mbrëmë, dhe u dërgua për në Beograd.
Imamoviq filloi të shante dhe pyeste: “Pse po më dërgoni në Serbi?”
Më pas nisi të shante pasagjerët. Një grup i pasagjerëve tentoi ta qetësonte.
Por, ai vazhdoi.
“Nuk do të qetësohem! Do ta rrëzoj aeroplanin. Do ta vras veten, bashkëshorten time dhe fëmijën tim”, kërcënoi ai.
Ai po ashtu fyu edhe një stjuardese që tentoi ta qetësonte.