Gara e bukurisë “Miss Universe” këtë vit ka prezantuar për herë të parë një garuese që hapur ka pranuar se është homoseksuale – dhe ajo vjen nga një vend ku homoseksualiteti është i kriminalizuar.
20 vjeçarja Swe Zin Htet ka garuar si Miss Myanmar në ngjarjen e së shtunës mbrëma në Atlanta, Georgia, SHBA. Ndonëse nuk arriti të kualifikohej në top-20, fansat thonë se ajo tashmë ka hyrë në histori duke përfaqësuar komunitetin LGBTQ në skenën globale, raporton CNN.
Htet, e njohur tek fansat edhe si “Superman”, thuhet se është deklaruar hapur se është homoseksuale në një intervistë të postuar në një forum të një gare bukurie, Missosology, pak pasi kishte mbërritur në Atlanta për garën, transmeton Koha.net.
“Dua që bota të pranojë komunitetin LGBTQ+ dhe të drejtën e tyre për të zgjedhur rrugën e tyre dhe të ndjekin lumturinë”, citohet të ketë thënë ajo. “Gjithmonë duhet të kemi lirinë e zgjedhjes dhe promovimit të barazisë”.
Ditën tjetër, ajo postoi një kolazh fotografish në Instagram mbi të cilin kolazh ishte flamuri me ylber dhe fjala “Krenare”.
Në vendlindjen e saj, kodi penal ua lejon gjykatave të dënojnë me burgim afatgjatë seksin homoseksual.
Megjithatë, deklarimi i hapur i Htetit është ndeshur me mbështetje të madhe nga Mianmar dhe nga mbarë bota.