Kulturë

Të rinjve në Hungari u ndalohet ta vizitojnë ekspozitën botërore

Ekspozita prestigjioze botërore e fotografisë, e hapur në Muzeun Kombëtar të Hungarisë në Budapest, çdo vit pret më shumë se 4 milionë vizitorë nga mbi 80 qytete të botës, duke shfaqur kështu fotografi të jashtëzakonshme. Misioni i saj është të sjellë mbulim vizual të një sërë ngjarjesh të rëndësishme për një audiencë globale.

Por një set prej pesë fotografish nga fotoreporterja filipinase, Hannah Reyes Morales, bëri që një ligjvënëse hungareze e ekstremit të djathtë të paraqes ankesë në Ministrinë e Kulturës së vendit. E kjo e fundit vendosi që fotografitë në fjalë e shkelin një ligj hungarez, i cili ndalon shfaqjen e përmbajtjes së komunitetit LGBTQ+ për të miturit.

Tashmë edhe me pëlqimin e prindërve, fëmijët nën moshën 18-vjeçare nuk lejohen të vizitojnë ekspozitën.

Fotografitë shfaqin disa çifte të moshuarish që i takojnë komunitetit LGBTQ+ në Filipine, të cilët kanë ndarë një shtëpi për dekada dhe janë kujdesur për njëri-tjetrin.

Joumana El Zein Khoury, drejtoreshë ekzekutive e ekspozitës “World Press Photo”, e quajti shqetësues faktin që ky set i fotove është shënjestruar nga Qeveria hungareze.

“Kjo është hera e parë që ne përballemi me censurë, për një audiencë të caktuar në Evropë”, ka thënë Khoury për “Associated Press”. “Ishte një përvojë e re për ne dhe më duket pikëlluese, në fakt shumë shqetësuese”, përfundoi ajo.

Lëvizjet për të ndaluar të rinjtë nga kjo ekspozitë ishin lëvizjet e fundit nga qeveria hungareze, e udhëhequr nga kryeministri nacionalist Viktor Orbán. Pra masat për të ndaluar këtë gjë ishin kufizimet e materialeve që promovojnë homoseksualitetin te të miturit në media, duke përfshirë kështu televizionin, filmat, reklamat dhe literaturën.

Ndërsa Qeveria ka këmbëngulur se ligji i vitit 2021 për “mbrojtjen e fëmijëve”, është krijuar për t’i izoluar ata nga ajo që e quajnë “propagandë seksuale”.

Për këtë ekspozitë dhe përmbajtën e saj, padyshim se pati këndvështrime të ndryshme. Dora Duro, deputetja e ekstremit të djathtë që paraqiti ankesën për fotot, ka thënë se ishte e indinjuar kur vizitoi ekspozitën e po ashtu hodhi poshtë pretendimet se vendimi i qeverisë kufizonte lirinë e shtypit ose lirinë e shprehjes.

“Si jeton pakica e komunitetit LGBTQ nuk është problemi më i madh në botë. Ajo që ne e shohim si normale, ajo që përshkruajmë dhe çfarë u përcjellim fëmijëve si vlerë, ndikon dukshëm tek ata. Kjo ekspozitë është e dëmshme për të miturit, dhe mendoj se për të rriturit gjithashtu”, ka thënë Duro për “Associated Press”.

Në anën tjetër, fotografi Reyes Morales përmes një deklarate të dërguar me email, ka treguar se subjektet në fotografitë e tij shërbejnë si “ikona dhe modele” për komunitetin LGBTQ+ në Filipine, dhe se ato nuk janë të rrezikshme apo të dëmshme.

“Ajo që është e dëmshme është kufizimi i vizibilitetit për komunitetin LGBTQIA+, dhe e drejta e tyre për të ekzistuar dhe për tu parë. Jam shumë i mërzitur që historia e tyre mund të mos arrijë tek njerëzit që kanë më shumë nevojë. Po ashtu më pikëllon fakti që historia e tyre po mbahet në hije”, ka përfunduar Morales.

Tamas Revesz, ish-anëtar i jurisë në “World Press Photo”, i cili ka qenë organizator i ekspozitave në Hungari për më shumë se tri dekada, tha se në ekspozitën në fjalë ka fotografi të tjera më të rëndësishme, siç është edhe mbulimi i luftës në Ukrainë. Ai po ashtu thotë se këto fotografi janë njëmijë herë më serioze dhe tronditëse sesa seritë e Moralesin.

Sipas tij, duke pasur parasysh se rreth gjysma e 50 mijë njerëzve që vizitojnë ekspozitën çdo vit janë studentë, mijëra të rinj hungarezë tani nuk do kenë mundësi ta shikojnë koleksionin e ekspozuar në “World Press Photo”. E kjo është shqetësuese, sepse aty ka edhe fotografi të tjera shumë domethënëse që nuk përmbajnë pamje të këtij komuniteti.

“Ajo në çka beson organizata joqeveritare ‘World Press Photo Foundation’, është liria e mendimit. Të gjithë janë të lirë të mendojnë çfarë të duan për imazhet e shfaqura. Këto fotografi janë bërë pa paragjykime dhe ne duhet t’i pranojmë ato pa paragjykim”, deklaroi Revesz.

Përfundimisht, shumë njerëz po e konsiderojnë vendimin e qeverisë hungareze si një veprim të gabuar dhe të paprecedentë.

Ministria e Kulturës në Hungari nuk u është përgjigjur kërkesave për intervistë.

(Marrë nga “Associated Press”, përktheu Lea Krajkova)