Kuriozitet

Muzikanti suedez e mëson një oktapod të luajë piano

oktapod

Një muzikant suedez ka kaluar gjashtë muaj duke punuar për të realizuar atë që e quan gjënë më “të keqe”, por edhe më “të bukurën” që ka bërë ndonjëherë: t’i mësojë një oktapodi të luajë piano.

Mattias Krantz, një youtuber që zakonisht publikon përmbajtje rreth instrumenteve muzikore që i modifikon dhe i luan vetë, ka publikuar një video ku tregon procesin se si e mësoi oktapodin, të quajtur Takoyaki, të luajë piano.

Krantz i ka thënë “The Washington Post” se Takoyakin, apo shkurt Tako, e ka blerë në mars nga një peshkatari portugeze, ndonëse në video shfaqet duke kërkuar një “molusk muzikor” në një treg peshku në Kore.

Sipas tij, ka marrë kohë për të fituar besimin e Takos, dhe edhe më shumë derisa arriti ta nxisë që të përdorte tastierën e posaçme që kishte ndërtuar, me leva që oktapodi t’i tërhiqte me tentakulat e tij.

Krantz ka treguar se Tako kishte ngecur duke luajtur vetëm një ose dy nota në të njëjtën kohë, pavarësisht përpjekjeve për ta tërhequr vëmendjen me flluska. Përparimi erdhi në gusht, kur ai instaloi në akuarium një pajisje të quajtur “ashensori i gaforres”. Pajisja lëshonte një gaforre – ushqimin e preferuar të Takos, për çdo notë që oktapodi luante.

Më pas, Krantz filloi të luante kitarë për ta shoqëruar Takon në piano, madje arriti t’ia mësonte edhe progresionin e notave të këngës “Baby Shark”, ndonëse pranoi se rezultati nuk ishte në ritmin e duhur.

“Ishte ndoshta gjëja më e keqe që kam bërë ndonjëherë, dhe ndoshta edhe më e bukura”, ka thënë Krantz për . “Asnjëherë nuk e kam shtyrë veten në këto kufij”.

Ai ka shtuar se tani luan bashkë me Takon afërsisht çdo dy ditë.

“Nuk mund ta besoj që rri këtu dhe luaj me një oktapod”, ka thënë ai.

Ndërkohë, shkencëtarja detare Jenny Hofmeister ka paralajmëruar adhuruesit e Takos se kafsha ka gjasa të mos luajë muzikë nga kënaqësia artistike, por thjesht për të marrë shpërblimin.

“Oktapodi nuk e percepton ritmin”, ka thënë ajo. “Nuk e percepton tempin. Ai thjesht dëshiron të kryejë hapat që i nevojiten për të marrë gaforren”.