Showbiz

Tom Cruise çlodhet duke luajtur piano

Tom Cruise

Tom Cruise

Foto: Associated Press

Ylli i Hollywoodit, Tom Cruise, ka zbuluar se për t’u relaksuar luan piano dhe ndjek mësime vallëzimi për të kuptuar më mirë lëvizjen e trupit dhe emocionin.

Aktori ka rrëfyer se në fakt nuk mund të thuhet se “luan” piano, pasi nuk ka shumë aftësi në këtë instrument, por qetësohet kur luan në të.

“Nuk do të thosha se di të ‘luaj’. Më pëlqen të ju bie tasteve... më duket relaksuese”, ka thënë ai për revistën PEOPLE.

Cruise ka shpjeguar se i pëlqen të mësojë aftësi të reja dhe përpiqet t’i përdorë të gjitha në filmat e tij.
Ai merr mësime vallëzimi për të kuptuar më mirë si lëviz trupi dhe çfarë emocionesh mund të përcjellë për të tjerët.

“Mësoj kërcim sepse më intereson kjo formë arti. Mësuesit e kërcimit e kuptojnë si lëviz trupi, çfarë forme merr dhe çfarë emocioni mund të krijojë te të tjerët”, ka thënë ai.

Aktori ka treguar se vazhdimisht trajnohet për aftësi të reja, qoftë me pianon apo duke kaluar më shumë kohë duke kërcyer.

“Ose me hedhje me parashutë, ose duke fluturuar avionë apo helikopterë. Gjëja e mrekullueshme është se nuk ka fund. Gjithmonë mund të përmirësohesh”, ka thënë tutje Cruise.

Këto deklarata vijnë pak para rikthimit të tij në ekranin e madh këtë muaj me filmin e fundit aksion, “Mission: Impossible – The Final Reckoning”.

Përkrah Cruiseit në këtë film luajnë edhe yje të tjerë si Hayley Atwell (Grace), Ving Rhames (Luther Stickell), Simon Pegg (Benji Dunn), Vanessa Kirby (Alanna Mitsopolis), Esai Morales (Gabriel), Pom Klementieff (Paris), Henry Czerny (Eugene Kittridge) dhe Angela Bassett (Erika Sloane).

Filmi do të ketë premierën në Festivalin e Filmit në Kanë më 14 maj, jashtë konkurrencës, me pjesëmarrjen e vetë Tom Cruiseit dhe regjisorit Christopher McQuarrie.

Kjo shënon herën e tretë që Cruise merr pjesë në Kanë. Hera e parë ishte në vitin 1992 me “Far and Away”, dhe më pas në 2022 me “Top Gun: Maverick”, ku u nderua me një Palmë të artë.

“Mission: Impossible – The Final Reckoning” është kapitulli i tetë dhe i fundit i sagës së njohur. Cruise rikthen rolin e Ethan Hunt, të cilin e luan që nga fillimi i serisë në vitin 1996.

Filmi do të shfaqet në kinematë franceze më 21 maj dhe në ato amerikane më 23 maj.

Festivali i Filmit në Kanë këtë vit mbahet nga 13 deri më 24 maj.