Pekin, 21 qershor – Laboratori i parë i nivelit shtetëror për kafshët e rralla u hap në Parkun Kombëtar të pandave gjigante në provincën Sichuan të Kinës jugperëndimore, si pjesë e përpjekjeve më të fundit të Kinës për mbrojtjen e kafshëve të rralla në vend, sipas CRI-së.
Laboratori kryesor i biologjisë për ruajtjen e kafshëve të rralla në Parkun Kombëtar të pandave gjigante është laboratori i parë i nivelit shtetëror në fushën e ruajtjes dhe kërkimit shkencor të pandës.
Laboratori u themelua në bazën “Dujiangyan” të Qendrës së Ruajtjes dhe Kërkimit për Pandat Gjigante si pjesë e planit të këtij Parku Kombëtar në Kinë.
Ky laborator do të ofrojë më shumë metoda shkencore për të mbrojtur kafshët e një rëndësie të veçantë, jo vetëm pandat gjigante, por edhe kafshë të tjera të rralla, përfshirë leopardët e borës dhe majmunët e artë.
Zhang Hemin, zëvendësdrejtori i laboratorit të ri, shpjegon synimin fillestar të krijimit të këtij laboratori.
“Ne duam të përdorim hulumtime të ndryshme për të zbuluar faktorët që vënë në rrezik jetët e kafshëve të egra. Kjo ishte aryeja e themelimit të këtij laboratori dhe shpresojmë që të gjejmë mënyra më të mira për t’i adresuar këto probleme”, tha ai.
Vitin e kaluar, Kina njoftoi se kishte në plan ndërtimin e një Parku Kombëtar për pandat, në provincat e Sichuan-it, Shaanxi-t dhe Gansu-së, për të ndihmuar kafshët e rralla që të lëviznin më lirshëm. Ky Park bën të mundur që pandat të jetojnë në male të izoluara të këtyre zonave, por me më shumë hapësirë për t’u endur në to.
Aty ndodhen 32 lloje kafshësh të egra në nivelin më të lartë të mbrojtjes kombëtare, si dhe 113 specie të tjera të përcaktuara si të nivelit të dytë për nga mbrojtja .