Dy planetët ia kanë prerë rrugën njëri-tjetrit gjatë orëve të natës, me ç’rast ata janë vërejtur nën petkun e errësirës sikur “një planet i dyfishtë”
Londër, 22 dhjetor – Jupiteri dhe Saturni ia kanë prerë rrugën njëri-tjetrit gjatë orëve të natës midis të hënës dhe të martës, duke u shfaqur para vrojtuesve nën petkun e errësirës sikur “një planet i dyfishtë”, në atë që përbën ngjarjen madhështore të evidentuar për të parën herë pas 800 vjetësh.
Fenomeni i rrallë është jetësuar pasi që planetët kanë lëvizur për një kohë të konsiderueshme më afër njëri-tjetrit dhe kanë arritur pikën më të afërt njëri me tjetrin më 21 dhjetor.
Astrologët në Mbretërinë e Bashkuar vazhdimisht kanë vështruar motin, në mënyrë që t’i shmangen një dëshpërimi astronomik.
“Çdo mbrëmje është e qartë, ia vlen ta shfrytëzojmë këtë rast për shkak se moti nuk duket edhe aq i mirë”, ka thënë për BBC-në Carolin Crawford, eksperte nga Instituti i Astronomisë në Universitetin e Cambridges.
Për shkak të errësirës dhe dimrit, dy planetët do të duhej të shfaqeshin në qiellin jugperëndimor, pak mbi horizont, pas perëndimit të diellit.
Ylli i Bethlehemit?
Disa astronomë dhe teologë e mendojnë kësisoj këtë fenomen.
Eric M Vanden Eykel, profesor i religjionit nga Kolegji Ferrum në Virginia të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka vënë në pah nëpërmjet një artikull online, se koha ka sjellë shumë spekulime “rreth asaj nëse do të jetë ngjarja e njëjtë astronomike sikurse thuhet në Bibël dhe që ka sjellë burrat e ditur të kohës”.
Ky nuk është thjesht një spekulim festiv e modern. Teoria se përafrimi i Jupiterit dhe Saturnit mund të jetë “Ylli i Çudisë” ishte përfolur qysh në fillim të shekullit të 17 nga Johannes Kepler, astronom dhe matematikan gjerman. “Para 2.000 vjetësh, njerëzit ishin shumë më në dijeni se çfarë po ndodhte në qiell gjatë natës”, ka thënë Crawford. “Pra, nuk është e pamundur që ylli i Bethlehemit ishte një rreshtim planetar si ky”.
Sa e rrallë është ngjarja?
Pasi që planetët ia prenë rrugën njëri-tjetrit, përafrimet nuk janë veçanërisht të rralla, por ky tani është i veçantë.
“Përafrimet janë gjëra të bukura për t’u parë – ato ndodhin goxha shpesh – por që planetët të jenë kaq afër njëri-tjetrit është goxha e jashtëzakonshme”, ka thënë profesori Tim O'Brien, një astrofizikan nga Universiteti i Manchesterit.
Dy planetët – më i madhi i Sistemit Diellor dhe një prej objekteve më të ndritshme që mund të shihen në qiell – nuk kanë qenë kaq afër në qiellin e errët, për më shumë se 800 vjet. Për shkak të kohës që planetët do të vendosen në jugperëndim, O'Brien ka thënë se ka qenë e nevojshme që astronomët të dalin dhe ta shohin ngjarjen porsa që qielli është errësuar.
“Askush prej nesh nuk do të jetë këtu pas 400 vjetësh”, ka thënë ai, duke aluduar në mundësinë e shfaqjes së një dukurie të tillë në të ardhmen.
{gallery}