E ashtuquajtura “foshnja e parë” e Zelandës së Re, e bija tremuajshe e kryeministres Jacinda Ardern, ka debutuar në skenën politike botërore duke u paraqitur në samitin e paqes në Kombet e Bashkuara me nënën e saj.
Ardern puthi Neve Te Aroha para adresimit në samit, ndërsa foshnja më pas u mbajt nga partneri i Ardernit, Clarke Gayford.
Gayford po ashtu ka publikuar një fotografi të vajzës së tij me kartë identiteti për të kaluar masat e sigurisë në Kombet e Bashkuara.
Ardern, 38-vjeçare, është liderja më e re në moshë e shtetit dhe është e para që lind në kohën sa është në pozitën e lideres. Ajo është liderja e dytë në historinë moderne botërore që lind gjatë periudhës sa është në detyrë, pas Benazir Bhuttos së Pakistanit më 1990.