Në nisje të muajve të ftohtë, familjet nxjerrin nga depot pishën dhe zbukurimet e festave të fundvitit.
Koha se kur duhet të vendosen ato nuk është e përcaktuar, por siç shkroi “Mirror” të shtunën, një grua hapi debat në internet për periudhën e zbukurimit të shtëpisë.
Gruaja nga Britania e Madhe, që nuk iu bë i ditur identiteti, deklaroi se ata që i vendosin zbukurimet që nga muaji tetor, janë “kërkues të vëmendjes”. Ajo tha se ndihet “e lodhur” nga familjet që zbukurimet i vendosin shumë më herët, para nisjes së festave.
“A e teproj nëse mendoj se njerëzit që i vendosin zbukurimet e Krishtlindjeve shumë herët, janë thjesht kërkues të vëmendjes”, shkroi ajo.
“Fqinja ime e ka dekoruar plotësisht shtëpinë e saj për Krishtlindje para gati dy javëve, më 31 tetor. Pema plotësisht e ndriçuar, dritat e jashtme, punimet, kurora në derë. Ajo u vendos pranë lagjes time para pesë vjetësh dhe supozoj që zbukurimin e ka bërë edhe më parë”, shkroi ajo në forumin “Mumsnet”.
Komentuesit patën qëndrimet të ndara për këtë temë të ngritur.
“Jam dakord me ty. Është qesharake kjo, megjithatë shumë njerëz e duan këtë veprim dhe nuk bëjnë ndonjë dëm”, shkroi një komentues.
Por, një komentues tjetër që deklaroi se zbukurimet gjithashtu i vendos në muajin tetor, tha se këtë nuk e bën për vëmendje.
“Nuk po kërkoj vëmendje duke i vendosur herët dekorimet. I dua shumë dhe më pëlqen që shtëpia ime të jetë festive. Nuk më intereson nëse njerëzit gjykojnë”, tha ai.