Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kuriozitet

Britanikët e ngujuar në Prizren vlerësojnë mikpritjen e vendasve

Qendra e Prizrenit këto ditë ka një qetësi të trishtë. Aty shihen pak njerëz. Por kërshërinë e prizrenasve tash e disa javë e zgjojnë dy shtetas britanikë, që gjatë rrugëtimit të tyre botëror, kanë mbetur të ngujuar në qytetin historik.

Ata vlerësojnë mikpritjen e vendasve sikurse edhe bukurinë e vendit, që sipas tyre ju ka mundësuar që të kenë ndjenja pozitive në rrethanat e pazakonta.

Rosie Watson pohon se për 7 muaj ka vrapuar nga 25 km në ditë, derisa në 5 javët e shkuara ka pushuar e shkruar rrëfimet e njerëzve në komunitete të ndryshme.

“Po mundohem të tregojë rrëfimet e njerëzve që punojnë për të gjetur zgjidhje. Është më pak përpjekje për ndërgjegjësim dhe me tepër përpjekje për të treguar se bota në të cilën jetojmë mund të jetë më e mirë, se mund të kemi një botë më të barabartë, më të shëndetshme, në të gjitha mënyrat, nëse i bëjmë këto ndryshime. Dhe nuk ka të bëjë me sakrificë ose diçka të tillë”, ka thënë ajo, raporton KOHA.

Pak muaj pasi saj, një rrugëtim të ngjashëm, por me biçikletë e ka nisur edhe Mike Elm.

Edhe Ngujimi në Prizren i dyshes britanike që kërkon tregime të reja Kulturë Ngujimi në Prizren i dyshes britanike që kërkon tregime të reja

“Rosie ka filluar The New Story Run. Ideja ka qenë edhe në kokën time. Po e shihja dhe po admiroja që po vrapon. Sa isha në Kinë, udhëtoja me tren dhe nuk e dija se çfarë do të bëj pastaj. Pastaj më lindi ideja për një udhëtim të gjatë me biçikletë, që gjithnjë dëshiroja ta bëja. Por nuk doja të nisesha në udhëtim të gjatë me biçikletë vetëm për hir të udhëtimit, por që kjo të ketë një ndikim, të bëj diçka pozitive për botën. Një gjë të tillë e bënte Rosie duke vrapuar dhe unë vendosa ta filloj New Story Ride”, ka deklaruar Elm.

Tregimet e tyre nga udhëtimet në vendet e ndryshme, në kuadër të projekteve të binjakëzuara mund të gjenden në dy ueb faqe: https://newstoryrun.wordpress.com dhe https://newstoryride.wordpress.com/

Britanikët e ngujuar janë të bindur se pos tregimeve nga Prizreni me vete do të marrin edhe kujtime të paharruara.

“Koha kaluar në Prizren sigurisht se do të mbetet në kujtesën time për një periudhë të gjatë, sepse ka qenë interesante të jem në këtë ambient shumë të ndryshëm nga ku jetoj normalisht, por edhe në një ambient shumë të ndryshëm global”, thotë Elm.

Në anën tjetër Rosie konsideron se e tërë situata me pandeminë paraqet një mundësi që njerëzimi ta rishqyrtojë marrëdhënien që ka me natyrën.

Edhe Dyshja britanike e ngujuar në Prizren, në aksion për mbrojtjen e mjedisit Arbëri Dyshja britanike e ngujuar në Prizren, në aksion për mbrojtjen e mjedisit

“Mendoj se mund të ketë gjëra pozitive që dalin nga kjo situatë krize, sepse gjithçka pothuajse është ndalur. Është periudhë e mirë të mendojmë se ku duhet të kthehemi dhe çfarë dëshirojmë të lëmë pas kur ti kthehemi jetës normale. Duhet të sigurohemi se nuk është e njëjta siç e kemi bërë më parë. Mund të jetë diçka më e mirë, që ka vlerë për natyrën, dhe që i mundëson asaj vazhdimin e rigjenerimit. Pra mendoj se ka shumë mundësi që të dalin gjëra pozitive nga kjo situatë mjaft e errët”, ka deklaruar ajo.

Udhëtimin me vrapim përkatësisht me biçikletë deri në Mongoli dy britanikët synojnë që ta përmbyllin për periudhën kohore 2 vjeçare, ani pse nuk kanë ndonjë orar të caktuar për këtë.