Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kuriozitet

Atlasi i parë u krijua në vitin 1570

Abraham Ortelius, krijuesi i atlasit të parë modern, u nderua këtë të dielë me një doodle nga Google.

Me publikimin në vitin 1570 të librit “Theatrum Orbis Terrarum” (Teatri i botës), Ortelius krijoi diçka që askush nuk e kishte bërë më parë; një libër hartash, të gjitha të të njëjtës madhësi, të organizuara gjeografikisht.

Atlasi i parë universal kishte 53 harta që përfaqësonin botën, ashtu si europianët e njohin deri më sot. Përmbante harta të Europës, Azisë dhe të Afrikës. Mungonte Australia, që do të zbulohej 30 vite më vonë, dhe Antarktida, që do të zbulohej dy shekuj më vonë nga James Cook.

Megjithatë Ortelius e kishte imagjinuar prezencën e një toke hipotetike australiane të vendosur aty ku gjendet Antarktida. Ortelius lindi në 1527 në qytetin flamand të Amberes, mblodhi informacione që ishin zbuluar deri në ato kohë nga shkencëtarët, gjeografët dhe hartografët dhe bëri shënime personale.