Emri i Kosovës edhe një herë u përmend në librin e famshëm të rekordeve Guinness.
Është Arbnora Fejza Idrizi nga komuna e Skenderajt, e cila ka shënuar një rekord të ri në librin e rekordeve botërore Guinness, me lulen më të madhe në botë të punuar nga letra, apo siç njihet, stili origami.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoLulja origami që e vendosi emrin e Arbnorës në librin e famshëm botëror ka një madhësi prej 8.7 metrash. E lajmi është bërë publik edhe në faqen zyrtare të Librit të Guinnessit, raporton Koha.net.
Arbnora bëri të ditur përmes faqes së saj në Facebook për këtë rekord, duke u shprehur:
“Me emrin e Allahut sot e fitova titullin Rekord Botëror Guinnes. Jam e lumtur që e përfaqësova Skenderajn, Kosovën”.
Veç saj, edhe kryetari i Komunës, Bekim Jashari, u shpreh i lumtur me këtë rekord.
“Ç’kënaqësi kur të mirat vijnë njëra pas tjetrës! Pas lajmit të djeshëm për Ushtrinë e Kosovës, jo vetëm Skenderaj por e gjithë Kosova sot nderohen nga znj.Arbnora Fejza Idrizi, e cila ka thyer rekordin botëror të punimit të lules më të madhe në botë origami, me përmasa 13x13 metra”, ka shkruar Jashari në Facebook.
Ndërkaq, në emailin konfirmues që asaj i ka arritur nga Guinnessi, thuhet se Arbnorës i takon tashmë një certifikatë që njeh veprën e saj.

“Jemi të gëzuar të ju njoftojmë se aplikimi juaj për lulen më të madhe origami ka qenë i suksesshëm dhe tani ju jeni Mbajtëse e Titullit për Rekord Botëror Guinness. Juve tani ju takon një certifikatë komplimentuese e Guinness World Records”, shkruan në emailin që Arbnora e ka pranuar nga Guinnessi.

Ndër shqiptarë tjerë punët e të cilëve janë njohur nga Guinnessi janë edhe artisti Saimir Strati i cili rekordin e fundit Guinness e ka thyer me portretin e Nënë Terezës ku ka përdorur mbi 1.5 milion kapësi teli.
Edhe Agim Agushi, rekordmeni kosovar i njohur për mbajtjen e topit me kokë, ka thyer rekordin Guinness i cili është mbajtur në Kosovë. Agushi e ka mbajtur topin në kokë me tundje për 4 orë, 2 min e 01 sekonda, duke qëndruar i ulur gjatë gjithë kësaj kohe pa lëvizur.
Po ashtu, edhe Shaban Binaku mbajtës rekordi në Guinness pasi, para rreth 4 vitesh ai e kishte fituar çmimin më të madh të lotarisë që ndonjëherë ka fituar dikush në një bingo në Londër duke hyrë kështu në librin e rekordeve “Guinness”.
Arbnora ka 10 vjet që merret me artin e origamit.