“Ora e Tokës” - pamje mahnitëse nga fikja e dritave nëpër botë

25 March 2017 21:35

Dritat rreth e rreth botës janë fikur në orën 20:30 të shtunën mbrëma, për të shënuar ngjarjen vjetore, tashmë të dhjetën me radhë, Ora e Tokës, si dhe për të tërhequr vëmendjen ndaj ndryshimeve klimatike.

Iniciativa ka nisur më 2007 në Australi nga Fondi Botëror për Botën Shtazore (WWF) kundër emetimeve të dyoksid-karbonit nga ana e njeriut që ndikojnë në ngrohjen e planetit, raporton Reuters.

Më 2017, kjo ngjarje do të shënohet me fikjen e dritave për një orë në 7 mijë qytete përgjatë 172 vendeve, në orën 20:30 të kohës lokale, me qëllim të theksimit të nevojën për të vepruar ndaj ndryshimeve klimatike dhe për ruajtjen e disa megavateve të energjisë elektrike, transmeton Koha.net.

Në mesin e ndërtesave dhe strukturave të famshme që morën pjesë në këtë aksion janë Shtëpia e Operës, ura Harbour, Parku Luna, Ndërtesa Komunale dhe Kulla Syri e Sidneit, Australi.

Ndërkombëtarisht lista përfshin disa prej rrokaqiejve më të famshëm dhe ndërtesave historike, përfshi ndërtesën më të lartë në botë, Burj Khalifa në Dubai, Big Beni dhe Parlamenti i Londrës, Koloseumi në Romë, Xhamia e Kaltër në Stamboll, Kulla Eiffel, Kremlini i Moskës dhe Sheshi i Kuq dhe Piramidat në Egjipt.

Ndërkaq, kjo ngjarje është shënuar edhe në kryeqytetin tonë, Prishtinë, ku organizatorët e kësaj ngjarjeje, shoqata ekologjike “Eko Viciana”, kanë organizuar në sheshin “Nëna Terezë”fikjen e dritave dhe ndezjen e qirinjve, nga ora 20:30.

Ndërsa organizatorët e “Earth Hour” thonë se nuk i auditojnë rezultatet e iniciativës për kursimin e energjisë, thonë se një në katër australianë është i përfshirë në këtë ngjarje.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme