Kuriozitet

Shumë interesim për të strehuar macen që ushtari turk e shpëtoi nga gërmadha në Al Bab

Fotografitë e maces, të cilën nga gërmadhat e qytetit sirian Al Bab e shpëtoi një pjesëtar i ushtrisë turke dhe i vuri emrin Paqe, kanë bërë xhiron e botës, ndërkohë që mijëra persona kanë shprehur interesin për ta strehuar.

Ushtari turk, Omer Ozkan, i cili gjendet në rajonin e Al Babit në kuadër të ofensivës “Mburoja e Eufratit”, ka shpëtuar jetën e një maceje të braktisur, e cila kishte mbetur në gërmadhat e qytetit.

Ai vendosi që macen ta quaj Paqe dhe për një kohë vetë ishte kujdesur për të.

Meqë situata në të cilën gjendej nuk i premtonte përkujdesje për macen e braktisur, ai vendosi t’i drejtohet organizatës për mbrojtjen e kafshëve, CAHIDE.

Xhemal Gynesh nga organizata CAHIDE tha se macja ka qenë në gjendje të rëndë.

“Tani, macja është në gjendje shumë të mirë dhe shpresojmë të vazhdojmë me sukses”, tha Gynesh.

“Ushtari që na e dorëzoi ka ardhur dhe e ka parë. Sikur ta kishim regjistruar atë moment, do të shihnit edhe ju se macja e njohu ushtarin”, tha ai.

Pas shpërndarjes së fotografive të maces në rrjetet sociale, një numër i madh njerëzish kishin shprehur gatishmërinë e tyre për ta strehuar.

Gynesh tha se interesim për macen kanë shprehur njerëz nga Turqia, Holanda, Gjermania, Austria madje edhe nga Japonia.