Kuriozitet

15-vjeçari indian thyen rekordin Guinness si adoleshenti me flokët më të gjatë në botë

15-vjeçari Sidakdeep Singh Chahal nga Uttar Pradeshi në Indi, ka arritur rekordin e ri botëror për flokët më të gjatë te djemtë adoleshentë, raportoi të dielën “Times of India”.

Flokët e gjatë të Chahalit janë rreth 146 cm.

Duke folur për përkushtimin e tij ndaj flokëve, Chahal ka treguar se pa mbështetjen e familjes në mirëmbajtjen e flokëve nuk do të mund ta vendoste këtë rekord.

"Do të më merrte një ditë të tërë nëse nuk do të ishte për ndihmën e nënës sime. Mbështetja e familjes sime ka qenë e rëndësishme në rrugëtimin tim”, ka thënë ai.

Arsyeja e rritjes së flokëve të tij është e rrënjosur thellë në besimin e tij sikh. Sikët nuk i presin kurrë flokët, duke e konsideruar atë dhuratë hyjnore nga Zoti.

Edhe pse shumë nga familja dhe miqtë e Chahalit ndajnë besimin e tij sikh, asnjëri prej tyre nuk ka flokë aq të gjatë sa ai.

Teksa ka treguar që gjatë fëmijërisë së tij është përballur me tallje nga miqtë, Chahali ka thënë se nuk e ka në plan t’i presë flokët “derisa të vdes”.