Një qytetar në Michigan ka treguar se po duhet të paguajë një faturë 1000-dollarëshe, pasi i biri i tij 6-vjeçar ka porositur ushqim nëpërmjet celularit nga restorante të ndryshme para disa ditëve, raporton agjencia AP.
Keith Stonehouse ka treguar se si ishte befasuar në shtëpinë e tij në Detroit të shtunën mbrëma, kur filluan të vinin porositë e ushqimeve.
Ai ka treguar se ia kishte lënë të birit, Masonit, celularin të luante një lojë para se të flinte. Por, 6-vjeçari në vend se të luante hyri në llogarinë e babait në Grubhub dhe porositi ushqime nga restorante të ndryshme.
Nëna Kristin Stonehouse, ka treguar se Grubhub u ka ofruar një “gift card” në vlerë 1000 dollarë. Ndërsa kompania ka thënë se po mendon ta përdorë familjen për kampanjë reklamuese online.
Keith Stonehouse ka treguar se ishte i vetëm me të birit kur ia la celularin. Ai kishte porositur ushqime të ndryshme, si karkaleca, sallata, senduiqa, pomfrit e ushqime tjera.
Shoferët e Grubhub po dërgonin porosi pas porosie.
“Nuk po më duket ende shaka, është shumë para dhe erdhi nga asgjëja”, tregon Keith Stonehouse.
Stonehouse ka treguar se si banka e tij kishte refuzuar një porosi të picave në vlerë 439 dollarë. Por, se i biri Mason kishte arritur të bënte porosi tjera, në vlera më të ulëta, por që shuma totale arriti në 1000 dollarë gati.
Kristin Steinhouse ndërkohë thotë se i biri Mason është shumë inteligjent dhe ka filluar të lexojë qysh në moshën 2 vjet e gjysmë.
“Ai është shumë i mençur. Nuk është një 6-vjeçar i zakonshëm”, thotë Kristin.