Kuriozitet

Kinezi shtriu ulësen e trenit, gjobitet me afro 500 dollarë

Debati i vazhdueshëm nëse është e pranueshme të shtrish ulësen gjatë udhëtimit ka marrë një kthesë në provincën Hunan të Kinës, pasi një burrë u gjobit për shkak se e shtriu atë në një tren.

Dokumentet e gjykatës të lëshuara në nëntor habitën të gjithë, për shkak të një incidenti të marsit 2022, në të cilin një studenti universiteti, i identifikuar vetëm me mbiemrin e tij, Wang, iu dëmtua laptopi ndërsa ishte në një tren për në qytetin e Wuhan.

Wang kishte përdorur kompjuterin e tij të blerë së fundmi në një tavolinë të palosshme të ulëses kur burri i ulur përpara, i quajtur Liu, u shtri - drejt në laptopin e Wang, duke e thyer ekranin, raportoi CNN-i.

Pasi e rregulloi laptopin e tij, Wang më pas e paditi Liun për 685 dollarë për të mbuluar shpenzimet e riparimeve dhe të udhëtimit deri në një stacion policie për të raportuar incidentin.

Gjykata Popullore e Qarkut Xiangyin në Hunan vendosi që të dyja palët ishin pjesërisht përgjegjëse për atë që ndodhi. Sipas gjykatws, Liu ishte 70 për qind fajtor sepse ai e shtriu ulësen e tij, dhe Wang 30 për qind sepse ai duhej të ishte më i kujdesshëm.

Si rezultat, Liu u urdhërua të paguante 478,15 dollarë, apo 70 për qind të shumës për të cilën Wang e paditi.

Në vendimin e saj, gjykata theksoi se në tren ishin postuar njoftime që u kujtonin njerëzve të kishin kujdes me pasagjerin pas tyre përpara se të shtrinin ulësen.