Kuriozitet

Arkeologët gjejnë mbetje që mund të dëshmojnë se çfarë hëngrën spektatorët e luftimeve të gladiatorëve

Spektatorët e luftimeve të gladiatorëve romakë në Koloseum, Romë, mund të kenë ngrënë ushqime me ullinj, fruta dhe arra. Këtë e tregoi zbulimi i fundit arkeologjik, për të cilin punohej që nga janari i vitit të kaluar, shkruan BBC.

Janë gjetur mbetje fiku, rrushi, qershie, manaferre, arra dhe fruta të tjera. Përveç kësaj, u gjetën eshtra arinjsh dhe macesh të mëdha, të cilat me siguri u përdorën për luftime në arenën gladiatoriale. Zbulimi ka ndodhur në momentin kur po hetohej rrjeti i ujërave të zeza 2000 vjeçare.

Drejtoresha e Parkut Arkeologjik të Koloseut, Alfonsina Russo, vuri në dukje se ajo që u gjet jep një pasqyrë, siç tha ajo, përvojën dhe zakonet e atyre që ndoqën garat e gladiatorëve.

Studiuesit deklaruan se kockat e arinjve, luanëve dhe jaguarëve ndoshta u përkasin kafshëve që u detyruan të luftonin kundër njëri-tjetrit dhe kundër gladiatorëve, të gjitha për argëtim. U gjetën gjithashtu kocka të vogla kafshësh që i përkisnin qenve.

Hulumtimi filloi në janar 2021 dhe përfshin pastrimin e 70 metrave të kanalizimeve të ujërave të zeza nën Koloseun, i cili është një nga vendet më të vizituara në Itali. Arkeologët dhe arkitektët përdorën robotë për të fituar njohuri të reja në jetën e përditshme të Romës së lashtë.

Koloseu ishte amfiteatri më i madh në Perandorinë Romake dhe pushoi së përdoruri rreth vitit 523. Njihet për faktin se aty mbaheshin luftime gladiatorësh dhe spektakle të tjera para dhjetëra mijëra njerëzve.

Gjatë hulumtimeve të përmendura janë gjetur edhe monedha, ndër të cilat janë 50 të bronzta që datojnë nga periudha romake e mëvonshme, që mbulojnë periudhën ndërmjet viteve 250 dhe 450 pas Krishtit, si dhe monedha të viteve 170 ose 171, të cilat festojnë mbretërimin e perandorit Marcus Aurelius.