Kuriozitet

Dokumenti me nënshkrimin e Charles Darwinit pritet të shitet me çmim rekord

Një copë letre e nënshkruar nga Charles Darwini, duke mbrojtur teorinë e tij të evoluimit, do të shkojë në shitje të premten në New York.

Ajo ka gjasa të arrijë në një milion funte – çmim rekord botëror për një shkrim të Darwinit.

Ai e kishte shkruar dokumentin ashtu që të kopjohej në një revistë të vitit 1865, shkroi BBC.

Darwini nuk e kishte zakon të ruante punën e tij dhe shumë pak material origjinal ka mbijetuar.

Nëse ka dhe është e nënshkruar, gati gjithnjë materialet mbajnë mbishkrimin “C Darwin” ose “Ch Darwin”.

Është shumë e rrallë të jetë emri i tij i plotë i shkruar dhe me dorën e tij.

John van Wyhe, i cili kuron koleksionin e tij të njohur si Darwin Online, ka thënë se copa e letrës është ekstra speciale për shkak të asaj çfarë shkruhet bashkangjitur me nënshkrimin.

“Ai përfshin një pasazh që shfaqet në edicionin e tretë të ‘Mbi Origjinën e Specieve’”, ka thënë ai.

Wyhe shtoi se është një pasazh favorit për shkak se Darwini përpiqet ta theksojë se njerëzit mund ta gjejnë teorinë e tij si të pabesueshme dhe çuditshme, por se “ata e thanë këtë edhe për Newtonin dhe gravitetin dhe askush nuk dyshoi në ekzistencën e gravitetit më”.