Kuriozitet

Paralajmërimi që shpëtoi jetë, francezi vëren ndërtesën para se të shembet

Një ndërtesë katërkatëshe është shembur në qytetin verior të Francës, Lille, por asnjë vdekje nuk është raportuar deri më tani, falë paralajmërimit paraprak të një banori, thanë autoritetet franceze, raportoi The Guardian.

Zjarrfikësit e Lilles thanë se shpëtuan një person nga rrënojat, dhe ai mori vetëm disa lëndime të lehta. Kërkimet për të tjerët që ndoshta ishin bllokuar në rrënoja po vazhdonin përpara se të fillonte një hetim se pse ndërtesa u shemb të shtunën në mëngjes.

Ndërtesa në qendër të qytetit u evakuua para agimit pasi një burrë që po kthehej në shtëpi rreth orës 3 të mëngjesit, pa të çarat që u shfaqën në strukturë dhe e raportoi çështjen tek shërbimet e urgjencës.

Shërbimi i zjarrfikësve u përgjigj dhe krijoi një kordon përreth zonës së rrezikut.

Kryetarja e qytetit, Martine Aubry, tha se veprimi i burrit shpëtoi jetë.

“Ende po dridhem, sepse nëse ky zotëri nuk do të kishte ardhur në shtëpi në 3 të mëngjesit dhe nuk do të na kishte kontaktuar, ne nuk do ta kishim këtë reagim, dhe qartazi do të kishte edhe të vdekur”, tha ajo.