Një dekadë më parë në fushën ajrore në Britani të Madhe, inxhinieri i mekanikës Ashok Aliseril Thamarkashan, nisi të mendonte seriozisht për të fluturuar aeroplanin.
Ai disa vite më vonë pati përvojën e parë të fluturimit, kur bashkëshortja Abhilasha ia pagoi një përvojë 30-minutëshe fluturimi për ditëlindje.
Ai fluturoi deri te Ishulli Wight, një ishull në bregun jugor të Anglisë.

“Kjo përvojë më hapi sytë. Kuptova se si fluturimi të jep lirinë që të shkosh në vende nëse ke aftësinë dhe qasjen në një aeroplan”, tha Thamarakshan.
Aliseril mori licencën për të pilotuar aeroplan privat në vitin 2019 dhe së shpejti nisi të merrte me qira aeroplanë për të bërë fluturime të shkurtra.
Mirëpo, ndërsa familja e tij po rritej – ai dhe Abhilasha që tash kanë dy vajza, e kuptuan se aeroplani me dy ulëse nuk po është më i përshtatshëm dhe nisën të mendonin për të blerë një aeroplan për vete.
Aliseril mendoi të blinte aeroplan të vjetër, e shikoi disa të ndërtuar në vitet 1960-ta dhe 1970-ta.
Mirëpo, ai nuk u ndihej mirë që të fluturonte një aeroplan të vjetër me familjen e tij. Donte të kishte një udhëtim komod.
Kështu që nisi të mendonte të ndërtonte një aeroplan, duke besuar se kjo do të na ndihmonte të kuptonte më tepër për aeroplanë dhe do ta bënte më të lehtë që ta mbante në periudhë më afatgjate.
Pasi kërkoi pajisje për aeroplan, ai zbuloi një aeroplan me katër ulëse të prodhuar nga kompania jug-afrikane Sling Aircraft që plotësonte të gjitha kushtet.
Në janar të vitit 2020, ai shkoi në fabrikën e Sling Aircraft në Johannesburg për fundjavë për të provuar aeroplanin Sling TSi dhe u impresionua aq shumë sa vendosi ta blinte.

“Ishte para COVID-it, ku udhëtimi ishte shumë më i lehtë. Bëra porosinë e parë të pajisjeve kur u ktheva. Në kohën kur arrita, Britania e Madhe ishte mbyllur plotësisht”, shpjegon Aliseril.
Aliseril thotë se kolegët e tij, disa prej të cilëve kanë përvojë të ndërtimit të aeroplanit, fillimisht i ofruan ndihmë për ta ndërtuar. Por kufizimet nëpër botë atë kohë që ishin vendosur si pasojë e COVID-19, nënkuptuan se kjo nuk ishte e mundur më.
Por, Aliseril nisi në oborrin e tij të bënte gati etapat e projektit të ndërtimit të aeroplani, që do të monitorohej nga Autoriteti i Aeroplanëve të Vegjël, një trup i Britanisë së Madhe që mbikëqyrë ndërtimin dhe mirëmbajtjen e aeroplanëve të ndërtuar nëpër shtëpi.

Rregullat për aeroplanët e ndërtuar nëpër shtëpi dallojnë nga shteti në shtet.
Përkundër vonesave, Aliseril nisi ndërtimin e aeroplanit në prill të vitit 2020.
Ai pranon se profesioni i inxhinierit e ka ndihmuar në një mënyrë, por thotë më tepër e ndihmoi puna në riparime në shtëpi.
“Këto pajisje ndërtimi të aeroplanit janë të dizajnuara për çdo person që të ndërtojë, ndërsa mund të ndërtohet nga personi që ka përvojë ndërtimi”, ka thënë Aliseril, duke e përshkruar ndërtimin sikur montimin e mobiljeve të Ikeas. “Them se të gjithë mund të përfshihen në këto lloj ndërtime”.
Aliseril vazhdoi punën dhe në janar të vitit 2022 ai bëri fluturimin e parë testues me aeroplanin që e ndërtoi.
“Fluturoi për afro 20 minuta dhe më pas u kthye. Ishte lehtësim i madh”, thotë Aliseril.
Testimi i parë kishte rëndësi të madhe.
“Secili e quan projekt derisa fluturon. Kur fluturon, atëherë quhet aeroplan. Nuk quhet më projekt. Është një hap i madh psikologjik”, ka thënë Aliseril.
Aeroplanit i dha emrin G-Diya, sipas vajzës së tij më të madhe Diya.
Aeroplani mund të fluturojë deri 1389 kilometra, ndërsa ka bërë disa testime derisa mori lejen e fluturimit në maj të vitit 2022.
Në qershor të vitit 2022, ai bëri fluturim njëjavorë nëpër Evropë me një shok tjetër pilot. Fluturoi në Republikë Çeke, Austri dhe Gjermani.
Derisa Aliseril thotë se është pilot i ri, ai ka 125 orë fluturimi tashmë. Dhe po rritet besimi i tij.
“Plani është që të bëjmë fluturime brenda Britanisë në fundjavë kur moti është i mirë. Dhe në pushimet e verës mund të shkojmë diku në Evropë”, ka thënë Aliseril.
Ai thotë se përfitimi më i madh është liria.
Aliseril thotë se bleu pjesët e aeroplanit për 80 mijë funte, po ashtu motorin Rotax, e pajisje tjera. Por shifra totale sillet rreth 180 mijë funte.
Ai shpreson se më tepër të rinj në të ardhmen do të përfshihen në projekte të tilla.