Kuriozitet

433 persona qëllojnë ‘jackpotin’ në Filipine, kërkohet hetim

Një lotari në Filipine, ku 433 persona qëlluan “jackportin”, ka shkaktuar befasi derisa është kërkuar shqyrtim dhe hetim për të.

Ky ishte numri më i madh i njerëzve që kanë fituar ndonjëherë çmimin kryesor të Grand Lottos, sipas mediave lokale, shkruan BBC-ja të martën.

Kombinimi fitues për jackpotin prej 4 milionë dollarësh ishte një seri numrash që të gjithë pjesëtoheshin me nëntë.

Udhëheqësi i pakicës në senatin e Filipinneve, Koko Pimentel, ka bërë thirrje për hetim mbi rezultatet e dyshimta.

Pjesëmarrësit në Lotton e Madhe zgjedhin gjashtë numra nga 1 deri në 55. Për të fituar jackpotin, të gjashtë numrat e një lojtari duhet të përputhen me ato të tërhequra nga operatori i lotarisë.

“Këto lojëra janë të autorizuara nga Republika e Filipineve. Prandaj, ne duhet të ruajmë dhe mbrojmë integritetin e këtyre lojërave të fatit”, tha Pimentel, derisa bëri thirrje për hetim mbi rezultatin e pazakontë të lotarisë.

Të dielën, Melquiades Robles, menaxher i përgjithshëm i Zyrës së Lotarisë në Filipine, tha se nuk kishte parregullsi dhe theksoi se njerëzit në Filipine prireshin të vinin baste në sekuencat e numrave.