Kuriozitet

Një japonez humb USB-në me të gjitha detajet personale të qytetarëve

Për shumë persona, pijet pas punës janë një mënyrë e zakonshme për t’u relaksuar pas një jave të ngarkuar.

Por një punëtor në Japoni mund të vuajë nga një “hangover” i zgjatur, pasi humbi një USB pas një nate jashtë me kolegët. USB-ja përmbante të dhënat personale të gati gjysmë milioni njerëzve.

Burri i paidentifikuar e vendosi USB-në në çantën e tij përpara një mbrëmjeje me pije në qytetin e Amagasaki, në veri-perëndim të Osakës.

Ai kaloi disa orë duke pirë në një restorant lokal përpara se të humbiste ndjenjat përfundimisht në rrugë, raportuan mediat lokale.

Kur më në fund u kthjellë, ai kuptoi se i mungonin edhe çanta dhe USB-ja.

Transmetuesi japonez NHK raporton se burri, që thuhet se është rreth të 40-tave, punon për një kompani të ngarkuar me ofrimin e përfitimeve për familjet e përjashtuara nga taksat.

Ai kishte transferuar të dhënat personale të të gjithë banorëve të qytetit në makinë të martën në mbrëmje përpara se të takohej me kolegët për një natë në qytet.

Zyrtarët e qytetit thanë se USB-ja përfshinte emrat, datat e lindjes dhe adresat e të gjithë banorëve të qytetit. Ajo përfshinte gjithashtu informacione më të ndjeshme, duke përfshirë detajet tatimore, numrat e llogarive bankare dhe informacionin për familjet që marrin sigurime shoqërore.

Për fat të mirë për burrin, zyrtarët e qytetit thanë se të dhënat e përfshira në disk janë të koduara dhe të kyçura me një fjalëkalim. Ata shtuan se deri më tani nuk ka pasur asnjë shenjë se dikush ka tentuar të aksesojë informacionin.

Por incidenti i turpshëm nxiti një kërkim falje nga zyrtarët, me kryebashkiakun e qytetit dhe drejtues të tjerë që u përkulën në kërkim të faljes, banorëve.

"Na vjen thellësisht keq që kemi dëmtuar besimin e publikut në administrimin e qytetit", tha një zyrtar i qytetit Amagasaki në një konferencë për shtyp.

 

Përktheu: Forca Jashari