Kuriozitet

Një asteroid potencialisht i rrezikshëm do t’i afrohet Tokës më 27 maj

Një asteroid katër herë më i madh se ndërtesa më e lartë në botë, Burj Khalifa në Dubai, do t'i afrohet Tokës më 27 maj, ka njoftuar Administrata Kombëtare Aeronautike Hapësinore Amerikane (NASA).

Asteroidi i quajtur “1989 JA”, ka madhësi prej 1,770 metrash, por që nuk po konsiderohet i rrezikshëm për Tokën, pasi sipas NASA-s, asteroidi do të jetë rreth 2 milionë milje larg ose rreth 10 herë distancë sa ka Toka me Hënën.

NASA e konsideroi asteroidin si “potencialisht të rrezikshëm” për faktin se mund të shkaktojë katastrofë në planetin Tokë “nëse orbita e tij ndryshon”.

Ky është asteroidi më i madh që do t'i afrohet Tokës këtë vit. Shkencëtarët vlerësojnë se asteroidi po udhëton me shpejtësi rreth 76,000 km/h ose 20 herë më shpejt se një plumb.

Ky shkëmb, fluturimin e radhës do ta bëjë më 23 qershor 2055.