U deshën të paktën nëntë goditje të forta nga një sëpatë për të thyer kutinë e xhamit në Kasafortën e Gjelbër (Green Vault) historike të Dresdenit. Pasi xhami u thye, dy hajdutët e maskuar rrëmbyen 21 objekte të çmuara të mbushura me diamant dhe u zhdukën.
Ishte 25 nëntor 2019 dhe në harkun e pak minutave, disa nga xhevahiret më të vlefshme historike në botë ishin zhdukur.
Gjyqi për gjashtë personat e akuzuar për kryerjen e një prej vjedhjeve më të mëdha të bizhuterive në histori ka nisur në Gjermani të premten, më 28 janar. Por misteri i asaj që ndodhi me thesaret që ata dyshohet se kanë vjedhur vazhdon.
Kjo është historia e një grabitjeje që mahniti botën - dhe punës së përpiktë të policisë që çoi në kapjen e gjashtë anëtarëve të një bande familjare që policia thotë se besohet se është përgjegjëse për grabitjen.

Të stolisur me më shumë se 4.300 diamante, thesaret e vjedhura nga “Green Vault” kishin vlerë të paktën 113 milionë euro, sipas zyrës së prokurorit të shtetit. Megjithatë, drejtori i Koleksionit Shtetëror të Arteve të Dresdenit, Marion Ackermann, tha se vlera e tyre materiale as që fillon të pasqyrojë rëndësinë e tyre historike dhe kulturore "të pallogaritshme".
Pothuajse të gjitha artefaktet e vjedhura ishin gjatë sundimit të Frederick Augustus III, zgjedhësi i fundit i Saksonisë, i cili më vonë u njoh si Frederick Augustus I, mbreti i parë i Saksonisë.
Objektet e çmuara përfshinin një kapëse të viteve 1780 të zbukuruar me 15 diamante të mëdhenj dhe më shumë se 100 të vegjël, si dhe një shpatë 96 centimetra dhe një këllëf, të cilat së bashku përmbanin më shumë se 800 diamante.
Por nuk ishte vetëm vlera e tyre që tërhoqi vëmendjen e botës, por ishte paturpësia me të cilën supozohet se u krye grabitja.
Sipas hetuesve, katër muaj para grabitjes, një i dyshuar shkoi në qytetin e Magdeburgut, 180 milje në veriperëndim të Dresdenit, për të marrë një Audi S6 të përdorur blu të errët: veturën që do t’i nevojitej për t’u arratisur.
Automjeti ishte çregjistruar tashmë, por policia tha se banda shkoi edhe më tej në përpjekjet e saj për të maskuar origjinën e saj, duke ndryshuar ngjyrën e saj në argjend dhe duke lënë vetëm pjesën e lartë të errët.
Dhe policia thotë se përgatitjet e bandës nuk u ndalën me “veturën e arratisjes”.
Disa ditë para grabitjes, sipas autoriteteve, hekurat nëpër dritare ku hajdutët hynë në kasafortë u prenë. Heqja plotësisht e grilës metalike mund të kishte ngritur dyshimin e kalimtarëve, kështu që të dyshuarit mbuluan gjurmët e tyre duke i ngjitur përkohësisht hekurat në vend me ngjitës, tha policia.
Dritarja ishte në një pikë qorre, kështu që nuk ishte e dukshme në kamerat e sigurisë dhe e gjithë zona ishte në "errësirë të plotë”. Një sensor lëvizjeje që duhej të aktivizohej gjatë grabitjes, dështoi. Ministria e Kulturës gjermane tha se alarmi kishte rënë një ditë para krimit dhe rojet e sigurisë nuk arritën ta riaktivizonin atë. CNN kontaktoi zyrën e prokurorit të shtetit për më shumë detaje rreth dështimit të alarmit, por zyra nuk komentoi sepse hetimi është në vazhdim.
Rreth orës 04:50 të mëngjesit të së hënës, 25 nëntor 2019, banda ka hyrë në aksion, sipas policisë.
Së pari, hajdutët ose bashkëpunëtorët e tyre i vunë zjarrin një trafo elektrike pranë “Green Vault”. Kjo bëri që dritat e rrugëve aty pranë të fiken, duke e zhytur në errësirë të gjithë zonën.
Më pas, në orën 4:57, ata u drejtuan drejt kasafortës.
Policia tha se videoja e kamerës së sigurisë tregonte se hajdutët e dinin me përpikëri se ku po shkonin.
Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë se grabitësve iu deshën vetëm disa minuta për të hyrë brenda, për të thyer vitrinën, për të kapur bizhuteritë dhe për t'u larguar. Hajdutët nuk mund t’i vidhnin të gjitha objektet.
Por para se të arratiseshin, grabitësit spërkatën dhomën me ‘pajisjen e zjarrfikësve’ për të mbuluar gjurmët, tha policia.
Policia tha se grabitësit ikën nga vendi i ngjarjes me Audi dhe se, vetëm 13 minuta pasi kamera CCTV kapi pamjet e para të tyre duke hyrë në kasafortë, vetura e bandës ishte braktisur dhe djegur në një garazh nëntokësor rreth tre milje larg.
Operacioni i policisë, i koduar Operacioni Epaulette pas një prej objekteve të vjedhura atë ditë, filloi në momentin kur stafi i sigurisë së muzeut bëri thirrjen e parë të urgjencës, ndërsa grabitësit ishin ende brenda ndërtesës.
Dy rojet e sigurisë së kasafortës e panë grabitjen që iu doli mbi monitorët e sigurisë, por nuk ndërhynë. Ky vendim u mor në pyetje më vonë nga policia, por stafi i sigurisë kishte ndjekur protokollet e sigurisë.
Zyra e Prokurorit të Shtetit të Saksonisë tha në mars 2020 se po hetonte katër personel sigurie nga muzeu. Javën e kaluar, zyra e Prokurorit të Shtetit tha për CNN se hetimi është në vazhdim. Një zëdhënës tha se kallëzimi penal ishte paraqitur kundër dy rojeve nga një individ privat, duke pretenduar se ata "nuk reaguan në mënyrë adekuate dhe nuk e parandaluan grabitjen".
Dy roje të tjerë të sigurisë janë hetuar. Njëri dyshohej se u kishte dorëzuar autorëve dokumente në lidhje me “Green Vault” dhe sistemet e tij të sigurisë dhe u arrestua katër ditë pas grabitjes. Gardiani tjetër u lirua pas një hetimi.
Një gardian i katërt po hetohet pasi "ka prova për një veprim në lidhje me sistemin e alarmit, i cili mund të kishte lehtësuar vjedhjen".
Deri në shtator të vitit 2020, policia tha se kishte marrë qindra informacione dhe kishte kontrolluar disa prona në Berlin që besohej se kishin lidhje me grabitjen.
Ata gjithashtu mësuan më shumë rreth veturës së arratisjes -- duke përfshirë vendin ku ajo ishte rimodeluar - dhe lëshuan një imazh të plotë të njërit prej të dyshuarve.
Më pas, më 17 nëntor 2020, pothuajse një vit pasi u vodhën thesaret e çmuara të “Green Vault”, policia nisi një operacion të madh sigurie në Berlin, duke sjellë forca speciale dhe 1.638 oficerë nga e gjithë Gjermania.
Ata kishin në shënjestër pesë anëtarë të klanit famëkeq Remmo, një nga familjet më të fuqishme të krimit në Gjermani, e cila vepron kryesisht në Berlin.
Policia njoftoi arrestimin e tre nga pesë të dyshuarit kryesorë gjatë operacionit në Berlin, para se edhe dy të tjerët të arrestoheshin më 17 maj respektivisht gusht 2021, duke kompletuar “puzzlen” e të arrestuarve, që dyshohen për përfshirje në grabitje.
Një muaj më vonë, prokurorët në këtë çështje më në fund akuzuan të gjashtë personat për krime, duke përfshirë vjedhje të rënda nga banda dhe zjarrvënie. Tre nga të dyshuarit janë vëllezër dhe tre të tjerët janë kushërinjtë e tyre.
Të dyshuarit mund të jenë në paraburgim, por për policinë hetimet nuk kanë përfunduar.
Pra, çfarë ndodhi me ato bizhuteritë e çmuara të vjedhura nga vitrina atë ditë në nëntor 2019?
Ekspertët besojnë se skenari më i mundshëm është ai që kuratorët e muzeut kishin më shumë frikë: se sendet e vjedhura janë thyer, gurët janë shitur dhe metalet e çmuara janë shkrirë.

Hard disqe, kompjuterë dhe telefona celularë u sekuestruan gjatë hetimit të madh policor, por vetë thesaret e vjedhura janë zhdukur pa lënë gjurmë.
Green Vault qëndroi i mbyllur për vizitorët për muaj të tërë, për shkak të hetimit dhe më vonë pandemisë së koronavirusit. Kur u rihap në maj 2020, kabineti i vjedhur u rregullua, por u la qëllimisht bosh.
Gjyqi është planifikuar të zgjasë të paktën deri në fund të tetorit. Nëse shpallen fajtorë, të dyshuarit përballen me dënime të mundshme me disa vite burg.