Kuriozitet

Biznesmeni italian që u kidnapua në Afrikë ra viktimë e një mashtrimi në rrjete sociale

Një biznesmen italian që u kidnapua në Itali vitin e kaluar, mund të jetë joshur të shkonte atje nga një person që ishte shtirur online si një grua e re, kanë thënë prokurorët, raporton BBC.

Claudio Formenton nga Venecia është kidnapuar në nëntor dhe u shpëtua tri ditë më vonë pas një aksioni policor.

Formenton i ka thënë familjes së tij se po shkonte të ndihmonte misionarët me punë humanitare në shtetin në perëndim të Afrikës.

Por, prokurorët besojnë se ai ishte viktimë e një kurthi.

Duke cituar dëshminë e biznesmenit të liruar dhe të ekipit të shpëtimit nga policia ushtarake, prokurorët e Romës besojnë se Formenton ishte mashtruar nga dikush me një profil fals të Facebookut.

Sipas raportimeve në Itali, Formenton 64-vjeçar ishte kontaktuar në rrjetet sociale nga një person që pretendonte se ishte një grua e re nga Bregu i Fildishtë, e quajtur Olivia Martens.

Me kalimin e muajve dyshja thuhet se ka shkëmbyer mesazhe dhe ka zhvilluar një marrëdhënie romantike. Formentonit, një biznesmen me seli afër Venecias, iu tha se gruaja ka probleme ligjore dhe iu kërkua asistencë financiare.

Ai kurrë nuk dërgoi para, por sipas gazetës italiane “Il Messaggero”, vendosi të udhëtonte për në Breg të Fildishtë që të takohej me gruan.

BBC-ja ka kërkuar një koment nga avokati i tij, por nuk ka marrë përgjigje.

Muajin e kaluar Stefano Marrone i tha mediave italiane se Formenton udhëtoi në Breg të Fildishtë për punë vullnetare.

Më 27 nëntor, ai mori një javë pushim dhe i tha familjes se po udhëtonte në shtetin në Afrikë për punë humanitare. Ceku se po udhëtonte në Abidjan.

Me të arritur, atë po e priste një taksist, duke mbajtur një tabelë me mbiemrin e tij. Duke menduar se misionarët e kishin aranzhuar këtë, ai hipi në taksi dhe u kidnapua.

Për tri ditë, kidnapuesit e zhvendosën nga një strehë në tjetër, derisa e fshehën në një hotel në Bonoua, një qytet në lindje të Abidjanit.

Ata kishin kërkuar shpërblim nga familja e Formentonit.

Por, Policia kishte përgjuar telefonatat dhe gjeti vendndodhjen.

Në raportimet në mediume atë kohë, u tha se biznesmeni italian ishte tronditur por nuk kishte lëndime.

Prokurorët besojnë se Olivia Martens, me të cilën ai bisedoi në internet, kishte vepruar vetëm si karrem dhe nuk ekziston fare. Hetuesit dyshojnë se edhe italianë tjerë të pasur mund të jenë shënjestruar nga i njëjti personazh.