Kuriozitet

Italiani kapet duke përdorur krah të rremë teksa vaksinohet kundër COVID-19

Descriptive Text

Një italian i cili është kapur në përpjekje për të përdorur një krah të rremë për të marrë vaksinën anti-COVID, tani po përballet me akuza.

Një punonjëse e kujdesit shëndetësor i cila ia ka dhënë 50-vjeçarit vaksinën në një qendër vaksinimi në rajonin verior të Piemontes, fillimisht nuk dyshoi për mashtrim. Por më pas, kur ajo preku krahun, vuri re se diçka nuk shkonte dhe e detyroi burrin të hiqte këmishën e tij, shkruan The Guardian.

“Jam ndierë e ofenduar si profesioniste”, ka thënë Filipa Bua për mediat italiane.

“Ngjyra e krahut më bëri të dyshoj dhe për këtë arsye i kërkova atij që ta zbulonte të gjithë krahun. Ishte bërë shumë mirë, por nuk e kishte ngjyrën e njëjtë me lëkurën e trupit”, ka vazhduar ajo.

Italia kohët e fundit njoftoi për masat e reja anti-COVID sipas të cilave do të ndalohet hyrja e personave të pavaksinuar në mjediset si klubet e natës, restorantet, teatrot dhe palestrat.

"Super kalimi i gjelbër", i cili do të hyjë në fuqi më 6 dhjetor, kërkon prova të vaksinimit ose shërimit nga virusi.

Italia regjistroi më shumë se 16,800 raste të reja me COVID-19 dhe 72 vdekje, një ditë më parë. Pak më shumë se 73 për qind e popullatës së këtij shteti është plotësisht e vaksinuar.