Kuriozitet

Mbi 250,000 dollarë për nënën të cilës punëdhënësi nuk ia mundësoi ta merrte vajzën nga çerdhja

Një nënë angleze ka fituar më shumë se 250,000 dollarë në një rast gjyqësor me punëdhënësin e saj, pasi ai nuk ia pranonte kërkesën që ajo të përfundonte orarin e punës një orë më herët, për ta marrë vajzën e saj nga qendra e kujdesit ditor.

Një gjykatë në Britani të Madhe ka vendosur më 12 gusht, që nëna e re Alice Thompson e cila punon me orar nga ora 9:00 e mëngjesit deri në ora 18:00 që të shpërblehet me saktësisht 255,947 dollarë.

Thompsoni ka deklaruar se kërkesa e saj “nuk ishte konsideruar asnjëherë seriozisht” dhe madje punëdhënësi nuk kishte pranuar t’i bënte as ndërrim të orarit.

Ajo ka deklaruar për BBC-në, se kishte kërkuar që të punonte nga ora 08:00 deri në ora 17:00, mirëpo asnjë opsion nga punëdhënësi nuk i ishte pranuar, prandaj ajo ka vendosur që të japë dorëheqje nga puna.

“Si të bëjnë nënat karrierë dhe familje” Është viti 2021, jo 1971”, ka deklaruar Thompson.

Menjëherë pasi kishte dhënë dorëheqje, ajo kishte vendosur edhe të ngrinte padi ndaj ish-punëdhënësit.

“Unë kam një vajzë, dhe nuk doja që edhe ajo të provohej në të njëjtën mënyrë pas 20 apo 30 vjetësh, kur të nisë punën”, është shprehur Thompsoni.

Në Britani të Madhe, punonjësit kanë të drejtë të kërkojnë orar fleksibil të punës. Ndërkaq, punëdhënësit kanë të drejtë ta refuzojnë kërkesën nëse konstatojnë se ndërrimi i orarit mund të ketë ndikim negativ në suksesin e biznesit.

Mirëpo në rastin e Thompsonit, gjykata ka konstatuar se ndryshimi i orarit të saj të punës për vetëm një orë, nuk kishte ndikim negativ në biznesin e punëdhënësit. Prandaj edhe ka vendosur në favor të paditëses, duke e shpërblyer atë me mbi 250,000 dollarë.