Kuriozitet

Autoritetet kufitare amerikane kapin 15 kërmij gjigantë në valixhen e një pasagjere

Kërmijtë të gjallë, gjethe të freskët dhe një gjysmë kilogrami mish viçi u gjetën këtë muaj në bagazhin e një pasagjere në aeroportin e Teksasit, raporton BBC.

Një pasagjere që po udhëtonte nga Nigeria fillimisht deklaroi mishin e tharë në valixhen e saj, para se të deklaronte edhe 15 kërmij gjigantë afrikanë.

Kërmijtë, që iu dorëzuan Departamentit Amerikan të Agrikulturës (USDA), mund të shkaktojnë meningjit te njerëzit.

Është e ndaluar të mbahen në SHBA pa leje.

Kërmijtë gjigantë afrikan janë në mesin e kërmijve më të dëmshëm në botë.

Gjenden në Afrikën Perëndimore, dhe konsiderohen si specialitete kuzhine.

Mirëpo, kanë edhe një parazit që shkakton meningjitin, sëmundje që prek trurin e shtyllën kurrizore.

Në shumicën e rasteve, personat e infektuar kanë simptome të buta, si kokëdhembje, qafë të mpirë apo marramendje. Ka raste kur kalojnë pa simptome. Por, ka raste kur simptomat janë të rënda e të rrezikshme.

Kërmijtë gjigantë po ashtu paraqesin rrezik për ambientin, duke dëmtuar ekosistemin lokal dhe ndërtesat. Hanë së paku 500 lloje të bimëve.