Kuriozitet

90-vjeçares nga Hong Kongu i vidhen 23 milionë funta nga një mashtrim përmes telefonit

Një gruaje 90-vjeçare në Hong Kong i janë vjedhur 23 milionë funta nga disa mashtrues që ishin paraqitur si zyrtarë kinezë, duke u bërë kështu mashtrimi më i madh deri më tani përmes telefonit.

Policia ka bërë të ditur se mashtruesit kishin targetuar të moshuarën e cila po jetonte në një vilë në qytetin e Hong Kongut.

Të dyshuarit për mashtrim kishin kontaktuar verën e kaluar gruan identiteti i së cilës nuk është bërë i ditur. Ata ishin paraqitur tek ajo si zyrtarë publik të sigurisë. Ata i kishin thënë të moshuarës se identiteti i saj ishte përdorur në një rast serioz kriminal në Kinë.

Më pas, gruas së moshuar i ishte thënë se ajo duhej të transferonte para nga llogaria e saj bankare për sigurinë e saj.

Policia ka bërë të ditur, se disa ditë më vonë, një person kishte arritur te shtëpia e saj me një telefon dhe një SIM kartelë për të komunikuar me agjentët mashtrues të sigurisë të cilët e kanë shtyrë atë që të bënte në total 11 transfere bankare.

Për më shumë se pesë muaj, gruaja e moshuar u ka transferuar mashtruesve 23 milionë funta që është edhe shuma më e madhe e dhënë nga një mashtrim i bërë me telefon.