Kuriozitet

Everesti, më i lartë sesa ishte menduar

Foto: Reuters

Mali Everest është më i lartë sesa që ishte menduar, kanë konfirmuar të martën Kina dhe Nepali, duke i dhënë fund një konflikti të kahershëm lidhur me majën më të lartë në botë që shtrihet përgjatë kufiri të dy shteteve.

Katmandu dhe Pekini kanë pasur dallime rreth lartësisë së saktë, por pasi secila palë ka dërguar nga një ekspeditë shkencëtarësh në majë, janë pajtuar se lartësia e saj zyrtare është 8 mijë e 848 metra e 86 centimetra, pak më e madhe sesa shifra e mëparshme e kontestuar. Ministri i Jashtëm nepalez ka vlerësuar se Everesti është simbol i miqësisë ndërmjet Nepalit dhe Kinës.

Të dhënat janë ndarë bashkërisht gjatë një videoparaqitjeje të shefave të diplomacive të dy shteteve aziatike. Nepali më parë kurrë nuk kishte bërë vetë matje të lartësisë, duke përdorur të dhënën prej 8.848 metrash, matje e përafërt e kryer nga India në vitin 1954. Matja kishte përfshirë edhe shtresën e dëborës.