Tiranë, 21 tetor - Instituti për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri së bashku me partnerët mesdhetare të WWF Med dhe WWF Itali, në mbështetje dhe nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, shprehin shqetësimin e tyre për mënyrën e raportimit të çështjeve që kanë të bëjnë me prezencën dhe kapjen e peshkaqenëve, ndërsa kërkon vëmendjen e medias së shkruar, vizive dhe sociale për të trajtuar me korrektësi njoftimet e paraqitura.
Në një njoftim për mediet, Instituti për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri thekson se “ky raportim ndonëse rrjedh si pasojë e mungesës së informacionit nga institucionet respektive në informim dhe më tej në ndërgjegjësim të komunitetit të peshkatarëve së pari dhe më pas të medias dhe komunitetit për llojet e specieve që janë prezente në ujërat shqiptare dhe në rëndësinë që ata kanë jo vetëm si pjesë e biodiversitetit, por dhe si informacion statistikor për peshkimin e tyre, nuk duhet neglizhuar për të bërë me to lajme apo kronika që shkojnë në drejtim të gabuara të informimit dhe ndërgjegjësimit”.
Sipas njoftimit, lajmet mbi peshkimin e peshkaqenëve shpesh janë në dëm jo vetëm të specieve të kapura, të cilat në shumicën e tyre janë specie të rrezikuara dhe që kanë status mbrojtjeje rajonale apo botërore, por dhe të vetë peshkatarëve të prezantuar në këto kronika apo njoftime.
Instituti për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri bën me dije se bazuar në kuadrin ligjor për peshkimin, ku përfshihen edhe speciet e peshkaqenëve, kapje të tilla (qofshin dhe rastësore) janë të dënueshme, por gjithashtu edhe zbarkimi i tyre në tokë dhe akoma më tej shitja apo servirja e tyre nga/për restorantet.
Peshqit kërcorë janë të rrezikuar në të gjithë Mesdheun. Nga vlerësimi i fundit i 2016 nga IUCN, në detin Mesdhe, të paktën 56% e peshkaqenëve dhe 50% e rajave (lloj peshkaqeni) janë me status të kërcënuar.
E njëjta situatë paraqitet në ujërat që lagin Shqipërinë me pjesën më të madhe të këtyre llojeve. Për këtë arsye, 15 lloje peshkaqenësh që ndeshen më shpesh në ujërat tona janë të mbrojtura përmes konventave ndërkombëtare dhe legjislacionit vendas, si në fushën e mjedisit, ashtu dhe atë të peshkimit.
“Përmes projektit SAFE Shark, kemi arritur të propozojmë që 11 lloje të tyre të propozohen për t’u futur dhe në listën e kuqe të përditësuar të faunës shqiptare”, thekson njoftimi duke shtuar se peshkaqenët janë një grup shumë i rëndësishëm i predatorëve (grabitqarëve) të mjedisit detar, shumë i rrezikuar nga aktiviteti njerëzor, kryesisht përmes peshkimit aksidental/rastësor.
Ulja e numrit të tyre jo vetëm që sjell humbje të biodiversitetit, por dhe pasoja të mëdha në rrjetet trofike të ekosistemeve detare. Për pjesën më të madhe të llojeve të tyre është i ndaluar, peshkimi, dhe në rast zëniesh aksidentale duhen lëshuar sërish në det ose në rast të kundërt nxjerrja e tyre në tokë përbën shkelje dhe sjell vendosjen e gjobave.
“E përmendim këtë fakt të ndëshkimit të peshkatarëve (në rastet e peshkimit të peshkaqenëve) sipas kuadrit ligjor, pasi gazetaret/ët dhe vetë peshkatarët indirekt kanë bërë të mundur evidentimin e këtij fenomeni nga institucionet inspektuese, të cilët në zbatim të ligjit kanë aplikuar edhe gjoba ndëshkimore për këto subjekte. Në këtë grup bëjnë pjesë peshkaqenët dhe rajat”, përfundon njoftimi./ATSH.