Kuriozitet

Udhëtimi i çmendur 70-ditësh me autobus nga New-Delhi në Londër

Çfarë thoni për një udhëtim 70-ditësh me autobus? Dikush mund të thotë se vetëm të çmendurit do ta bënin.

Por kështu nuk mendojnë në kompaninë Adventures Overland. Pronarët e kësaj kompanie, që vet e kanë shijuar një udhëtim të tillë para 10 vjetësh me makinë, shpresojnë që kjo ide të nxisë sa më shumë turistë për një aventurë të tillë.

Një autobus luksoz do të jetë në gjendje të pranojë 20 udhëtarë. Për 70 ditë, autobusi do të kalojë nëpër 18 vende dhe udhëtarët do të jenë në gjendje të shohin pamje përrallore të Myanmarit, të ecin mbi Murin kinez dhe të eksplorojnë qytetet si Moska e Praga.

Adventures Overland e kanë krijuar dy entuziastë të udhëtimeve, Tushar Agarwald dhe Sanjay Madan.

Inspirimin e gjetën kur vetë e provuan një udhëtim të ngjashëm nga kryeqendra e Indisë në atë të Anglisë.

“Ishte absolutisht udhëtim fantastik”, tha Madan.

Qëkur kanë themeluar kompaninë, kanë organizuar tri udhëtime nga New-Delhi në Londër me makina private. Tash, udhëtimi do të bëhet më autobus luksoz.

“Ka shumë turistë që duan të përshkojnë rrugët, por nuk kanë dëshirë të vozisin. Për këtë erdhëm tek ideja për një autobus luksoz ku udhëtarët do të ndjehen shumë komodë”, tha Madan.

Udhëtimi i parë me autobus do të duhej të organizohej në mesin e vitit të ardhshëm.

“Koha më e mirë është mes prillit dhe qershorit, pasi në atë kohë është përshtatshëm të kalohen malet e larta të Kinës dhe Kirgistanit”, shtoi Madan.

Udhëtimi nuk është edhe aq i lirë. Kushton 20.000 euro, por udhëtarët mund të përcaktohen për një etapë të vetme. Gjithë rruga është ndarë në katër etapa.

“Ky është një udhëtim që mund të shijohet vetëm duke kaluar nëpër rrugë”, tha Agarwal.

Sipas tij, deri më tash mbi 40.000 persona kanë shprehur interesim për këtë aventurë.