Floktoret dhe sallonet e manikyrit në Kaliforni janë detyruar të dalin jashtë për të kryer punën e tyre.
Me qëllim që t’i mbajnë gjallë bizneset, autoritetet amerikane kanë krijuar rregullat e reja që u japin shtytje bizneseve për kujdes personal, transmeton KOHA.
Me rregullat e reja, bizneset floktarët, stilistët dhe terapeutët kanë të drejtë të ofrojnë shërbimet e tyre në ambientet e jashtme.
Bizneset mund të punojnë nën një tendë ose diçka që ofron hapësirë të mjaftueshme për qarkullimin e ajrit, me qëllim që të parandalohet përhapja e koronavirusit.
Mirëpo me rregullat e reja puna u është pamundësuar bizneseve të tjera për kujdes personal, siç janë larja dhe ngjyrosja e flokëve, bërja e tatuazheve dhe shpimi i vathëve.
Ndërkaq floktarët duhet t’i respektojnë të gjitha masat.
“Qeveria ka thënë se duhet të punojmë në ambientet e hapura. Atyre që vijnë ua mati temperaturën dhe marr emrin e numrin telefonik. Sigurohem që janë në rregull. Pasi të thonë se mund t’i hapim bizneset, unë do t’i blej tendat”, ka thënë floktari Cosmo Panetta
Ani pse shumë prej bizneseve janë hapur, Sindikata e kujdesit personal ka deklaruar se 53 mijë anëtarë do të kenë vështirësi për të gjetur hapësirë dhe akomodim nga pronarët e lokalëve.
“Jemi trajnuar që myshterinjtë t’i mbajmë të sigurt. E kuptojmë shkencën në lidhje me kontaminimin, dezinfektimin de pastërtinë personale. Duhet ta bëjmë punën tonë me siguri, por në një ambient të kontrolluar”, ka thënë Fred Jones, floktar.
Për shkak të masave të sigurisë, edhe myshterinjtë ndihen më mirë në ambiente të hapura.
“Pasi janë në ambient të hapur dhe çdo gjë duket e sigurt sepse kanë marrë masat, unë ndihem rehat”, sipas klientes Lauren Edberg.
Rregullat e reja kanë detyruar bizneset që vetë të blejnë pajisjet për mbrojtje dhe për këtë kanë shpenzuar mijëra dollarë.
Puna në ambiente të hapura ishte lejuar që prej muajit qershor në Kaliforni, por autoritetet kthyen masat e izolimit kur në fillim të korrikut u raportuan mijëra raste të reja me koronavirus.
Floktarët dhe manikyristët iu bashkuan 16 kongresistëve që i bënë thirrje guvernatorit të Kalifornisë që këto biznese të mund të punojnë në ambiente të hapura.
Në Kaliforni, të mbyllura janë kafenetë dhe restorantet, të cilat kanë të drejtë ta ofrojnë vetëm shërbimin “merre me vete”.