Një 34-vjeçar nga Brazili, që ishte diagnostikuar me HIV më 2012, është personi i parë që ka ngelur pa virus, pasi kishte marrë një trajtim intensiv me ilaçe për një vit. Burri kishte marrë trajtimin bashkë me katër pacientë të tjerë, por ishte i vetmi që ishte “shëruar”.
Hulumtuesit, që shpjeguan gjetjet në konferencën “International Aids Society”, kanë paralajmëruar se duhet të ketë analiza të mëtejme për rastin.
Pacienti – i treti person që “është shëruar nga sëmundja” – kishte marrë trajtim standard ‘antiretrovirale’ për dy muaj pas diagnostikimit të tij dhe më pas i ishte nënshtruar trajtimit klinik ku mori trajtime të specializuara si dhe ilaçet dolutegravir dhe marivoc. Ai po ashtu kishte marrë nikotinamide, një lloj të vitaminës B. Nikotinamidet luftojnë pjesën e virusit që infekton qelizat dhe i çon në vetë-shkatërrim, si dhe aktivizon sistemin imunitar.
Pacienti kishte marrë trajtimin intensiv për një vit dhe më pas ishte liruar në muajin mars të 2019-s. Që nga ajo kohë, është testuar çdo tre javë dhe një vit më pas, ai akoma s’ka grumbullim virusi apo antitrupa.
Profesoresha Sharon Lewin, eksperte për sëmundjet ngjitëse në Universitetin e Melbournet, që nuk ishte përfshirë në hulumtim, ka thënë se fakti që pacienti s’ka antitrupa është i rëndësishëm.
“Kur dikush është i infektuar me një virus ata bëjnë antitrupa. Dhe antitrupat nuk lëvizin, edhe kur ju jeni duke u trajtuar dhe kur nuk ka grumbullim viral. Por kjo ka treguar se ai s’kishte asnjë antitrup, që përkrah idenë se është shëruar”, ka thënë ajo.
Gjithsesi, ajo ka shtuar se ishte e rëndësishme të kujtohet se ky ishte vetëm një pacient dhe gjetjet u publikuan vetëm si raport i një rasti.
Ricardo Diaz nga Universiteti i Sao Paulos në Brazil, që ka udhëhequr studimin, ka thënë se “ishte duke u përpjekur të zgjonte virusin”, dhe të forconte aftësitë e sistemit imunitar që ta zhdukë sapo të dilte.
“Ne nuk mund të hulumtojmë gjithë organizmin, por nga prova më e mirë, ne s’kemi qeliza të infektuara. Mendoj se kjo është shumë premtuese. Pacienti mund të shërohet, por i duhet më shumë kohë që ta dijë”, ka theksuar ai, raporton “The Telegraph”.
Ekspertët kanë vlerësuar se nëse ky rezultat shfaqet te më shumë pacientë, do të ishte zbulim i madh. Aktualisht njerëzit me HIV duhet të trajtohen përgjatë gjithë jetës për të ndalur grumbullimin viral. Trajtimi është “shërim” pasi pacientët do të kenë vetëm sasi të pavërejtshme të virusit dhe nuk mund ta bartin te të tjerët, e mund të jetojnë gjatë e shëndetshëm. Gjithsesi, ky trajtim është i shtrenjtë, njerëzve u duhen ilaçe për çdo ditë.
Kjo s’është hera e parë që shkencëtarët kanë thënë se kanë gjetur një mënyrë të zhdukjes së virusit. Fjalët e para për “shërim” nga HIV-i ishin më 2007, kur një pacient iu nënshtrua një transplanti të palcës kockore. Kanë kaluar më shumë se 10 vjet dhe ai ka mbetur i lirë nga sëmundja. Rasti i dytë ishte vitin e shkuar, kur Adam Castillejo, që ishte trajtuar me qeliza burimore të një donatori me rezistencë gjenetike më 2016. As ai s’ka shfaqur më shenja virusi.