Kuriozitet

103-vjeçari synon ecje maratonike për të mbledhur fonde në luftimin e COVID-19

Një mjek 103-vjeçar nga Belgjika është duke ecur një maratonë rreth kopshtit të tij në faza të përditshme për të ngritur fonde për hulumtimet rreth koronavirusit, raporton Reuters.

Alfons Leempoels, një mjek i përgjithshëm pensionist, kishte nisur udhëtimin e tij prej 42.2 kilometrave në Rotselaar, në verilindje të Brukselit, më 1 qershor dhe planifikon ta kompletojë më 30 qershor, transmeton KOHA.

Çdo ditë ai ec nga 10 xhiro prej 145 metrave; tri paradite, tri në mesditë dhe katër në mbrëmje. Për të mos humbur numërimin, ai hedh një shkop në një tas sa herë që përfundon një xhiro.

Leempoels thotë se ideja i lindi kur kishte parë veteranin e Luftës së Dytë Botërore, Tom Moore, 100 vjeçar, i cili kishte arritur të mblidhte 40 milionë dollarë ndihma për punëtorët shëndetësorë të Britanisë, duke ecur rreth kopshtit të tij.

“Fëmijët më thanë se edhe unë mund të ecja të paktën sa Tom Moore, e edhe më mirë që unë jam 103 vjeçar”, ka thënë Leempoels për Reuters. “Prandaj ata më sugjeruan se ndoshta duhet të bëj diçka. Mbesa ime sapo ka vrapuar një maratonë dhe duke bërë shaka i thashë: Do të vrapoj një maratonë”.

Leempoels shpreson që të mbledhë fonde për spitalin afër Universitetit Leuven, ku hulumtuesit janë duke punuar që të gjejnë kurën ndaj COVID-19.

Deri më tani ai ka arritur të mbledhë mbi 6 mijë euro, dhe ka përfunduar 1/3 e distancës së maratonës.

“Si mjek ju prekeni nga kjo dhe kjo është arsyeja se pse jam i lumtur se jam në gjendje të kontribuoj diçka për të luftuar koronavirusin”, ka thënë ai.

Leempoels kujton kohën kur njerëzit sëmureshin gjatë pandemisë së gripit aziatik në vitin1957-58, por që shëroheshin shumë më shpejtë sesa ata që po preken nga koronavirusi.