Kuriozitet

Cincinnati prezanton trajnerin e ri me fotografinë e dikujt tjetër

Një prej gjërave më të rëndësishme kur një klub prezanton trajnerin në rrjetet sociale është fotografia e tij.

Kryesisht publikohen fotografi të trajnerit të ri me fanellë të klubit, apo duke mbajtur shall të klubit. Ata më pak kreativ mjaftohen me fotografi gjatë firmosjes së kontratës, me shikim nga kamera.

Edhe në kohë pandemie, kur trajneri ndoshta nuk është bashkuar ende me skuadrën, lajmi për trajner të ri duhet të shoqërohet me një fotografi të tij. Por me shumë rëndësi është që të vendoset fotografia e personit të duhur, ka shkruar BBC.

Kësaj nuk i është përmbajtur skuadra amerikane, Cincinnati, që ka emëruar Jaap Stamin e njohur si trajner të ri, të enjten. Ish-mbrojtësin holandez e ka prezantuar me fotografi të dikujt tjetër.

Klubi i MLS-së ka përdorur fotografinë e trajnerit të të rinjve të Ajaxit, Tinus Van Teunenbroek. Ata ngjasojnë, por megjithatë bëhet fjalë për dy persona të ndryshëm.

Nuk është hera e parë që Van Teunenbroek përzihet me Stamin.

“Kam dëgjuar për incidentin përmes nënës së një ish-nxënësit tim. Të gjithë tani pyesin nëse jam transferuar në Amerikë. Një herë jam përzier me Jaap Stamin në faqen e Ajaxit madje. Më ndodh shpesh, për shembull në pushime”, ka thënë ai për Fox News.

Image