Kuriozitet

Në Lituani po i përdorin manekinët për t’u dukur restorantet të mbushura

Manekinët me kapela të palaçove kanë zënë ulëset në restorantet në kryeqytetin e Lituanisë, Vilnius, për të bashkëbiseduar me klientët e vërtetë që janë kthyer pas izolimit shkaku i koronavirusit. Ata po ashtu po i ndihmojnë klientët që ta mbajnë distancën sociale, shkruan agjencia Reuters.

Bernie ter Braak ka thënë se doli me këtë ide kur e rihapi restorantin e tij Cozy në Vilnius dhe e pa se sa i zbrazët dukej.

Edhe konsumatorët kanë filluar të kthehen. Bernie është dashur t’i përmbahet rregullave dhe të mbajë çdo të dytën tavolinë të lirë.

Kështu që Bernie i ka kërkuar disejnuesve lokal që t’i sjellin disa manekinë dhe t’i ulin në ato tavolina ku është e ndaluar ulja.

“Kur i ulëm të gjithë manekinët në vendet e tyre, papritmas restoranti dukej si i plotë, dhe atmosfera ishte dukshëm më e mirë”, ka thënë 47-vjeçari. “E pamë se po funksiononte”.

Ai ka inkurajuar kafenetë dhe restorantet tjera që t’i bashkohen në këtë ide dhe të marrë një shtytje gjithë sektori.

“Tash e di sigurt se ku mund të ulesh e ku jo”, thotë Odeta Plakiene, ndërsa është duke pirë një çaj në kafenenë Sugamour, pranë një manekini. “Po ashtu krijon atmosferë të mirë”.

Kjo po i ndihmon edhe industrisë së modës për t’u rikuperuar nga kriza.

“Unë po e përgatisja një manekin dje dhe disa njerëz menjëherë kërkuan veshjen”, ka thënë disejnatorja Rimante Rimgailaite.