Kuriozitet

Fluturime me masa të reja

Foto: Reuters

Aviokompanitë e Kazakistanit kanë nisur të premten fluturimet e para ndërshtetërore pas më se një muaji, por me zbatimin e masave të rrepta të sigurisë.

Të gjithë udhëtarët, me të hyrë në aeroplan, janë udhëzuar që t’i lënë ulëset e mesit bosh, për ta respektuar distancimin social, masën kryesore të zbatuar kudo në botë për frenimin e përhapjes së koronavirusit.

Fluturimi i parë është realizuar nga qyteti më i madh, Almaty drejt kryeqytetit Nur-Sultan, transmeton KOHA.

Fluturimet kanë nisur pasi që njerëzit detyrohen t’i përdorin linjat ajrore për bashkim me familjet dhe për të shkuar në vendet e tyre të punës.

E qysh para hyrjes në aeroplanë, udhëtarëve u është matur temperatura trupore.

Pos tjerash, udhëtarët janë detyruar që ta bartin me vete dokumentin që dëshmon se janë testuar dhe kanë rezultuar negativë për koronavirus.

Për realizimin e fluturimeve, kompanitë janë obliguar që ta lënë të parezervuar nga një ulëse në mes të udhëtarëve, e pasagjerët t’i bartin maskat dhe dorëzat gjatë gjithë fluturimit.

“Wizz Air” është njëra prej kompanive të para evropiane që ka nisur me fluturimet. Kjo kompani të premten ka realizuar një fluturim nga Londra drejt Sofjes së Bullgarisë.