Kuriozitet

Gjermania ia kthen veprat artistike familjes hebraike

Descriptive Text

Tre vepra të artit që i përkisnin një koleksionuesi hebre, i janë kthyer familjes nga shteti gjerman që i mbante që prej vdekjes së tij në vitin 1941.

Dy prej pikturave vinin nga një grumbull veprash që mbaheshin nga koleksionisti i njohur Cornelius Gurlitt.

Këto vepra janë zbuluar në vitin 2012 nga inspektorët gjermanë në Munich. Babai i Corneliusit ishte një tregtar veprash dhe i shiti ato që nazistët i konsideronin si art i degjeneruar.

Në një ceremoni në Berlin, ministrja e Kulturës, Monika Gruetters, ka thënë se kthimi i pikturave ishte një hap i vogël, por i rëndësishëm, transmeton KTV.

“Ne gjermanët e dimë çfarë kemi bërë dhe e dimë se kurrë nuk do të zhbëhet. Por kthimi i veprave të artit është një hap për drejtësinë”, ka thënë ajo.

Stërmbesa e pronarit të këtyre pikturave, një avokate parisienë, ka thënë se është e prekur me kthimin e veprave.

“Nëse pikturat do të mund të flisnin, ato do të na tregonin për udhëtimin e tyre që prej vjedhjes e shitjeve të rrejshme”, ka thënë ajo në ceremoni, por nuk ka dashur të identifikohet.

Dy pikturat e koleksionit të Gurlitit ishin me ngjyra të ujit dhe të vajit.

Të tre veprat e artit i përkisnin Dorvillit që kërkoi strehim në Francë në qershorin e vitit 1940. Ai vdiq një vit më vonë.

Anëtarët tjerë të familjes së tij u zhdukën në kampin e vdekjes në Auschwitz.

Kur në Francën e okupuar nga nazistët u miratua një ligj anti-semitizmit, trashëgimtarët e Dorvillit vendosën që t’i shisnin të gjitha pikturat në një ankand në Nice gjatë vitit 1942.

Nuk dihet se kush i bleu, por familja kurrë nuk i mori parat e shitjes.

Gurlitti i trashëgoi veprat e artit nga babai i tij dhe me dekada të tëra i ruajti në apartamentin e tij në Munich.

Një ditë pas vdekjes së tij, një muze zviceran mësoi se Gurlitti ishte trashëgimtari i vetëm i 1 mijë e 500 veprave të artit, përfshirë piktura të Pablo Picasos dhe Henri Matisses.