Kuriozitet

Tifozi që u kap duke tradhtuar në tribuna tregon se videoja ia shkatërroi lidhjen

Tifozi i futbollit, që ishte xhiruar nga kamerat duke puthur një femër pranë tij gjatë një ndeshjeje futbolli, para se të largonte dorën kur pa se u shfaq në ekranet gjigante të stadiumit, ka pranuar se ka tradhtuar të dashurën.

Momenti i puthjes ishte kapur nga kamerat në pauzën mes pjesëlojëve në miqësoren ndërmjet Barcelona SC dhe Delfin në Ekuador të shtunën dhe nuk vonoi shumë para se videoja të bëhej virale në rrjetet sociale, shkruan Koha Ditore.

Njeriu, që “The Metro” e ka identifikuar si Deyvi Andrade, ishte parë duke u puthur me vajzën pranë tij, para se të largonte dorën dhe dukej në faj kur e kuptoi se po xhirohej.

Gazeta meksikane sportive “Record” shkroi: “Nëse mendon të tradhtosh gjysmën tënde, një ndeshje futbolli në një stadium me mijëra persona në tribuna dhe miliona duke shikuar nëpërmjet ekraneve televizive, do të ishte vendi i fundit ku do të duhej të shkoje... me përjashtim nëse je një tifoz aq i flaktë i Barcelona SC në Ekuador”.

Andrade që nga atëherë ka shkruar në faqet e tij në Facebook dhe Instagram për të mbrojtur veprimet e tij dhe ka zbuluar se lidhja e tij është shkatërruar.

“Po të kishte qenë një femër në vend timin çfarë do të kishit bërë?”, ka shkruar ai. “Shumë video të femrave jobesnike kanë qarkulluar, por nuk është bërë shaka aq shumë sa me mua. Shpresoj që kurrë të mos gjendeni në pozitën time. Do të mbroj nderim tim dhe krenarinë time si burrë deri në fund. Ne të gjithë dështojmë dhe të gjithë pendohemi. Faleminderit prej atyre që më kanë ftuar në kishë dhe nëse shkoj atje është për të shëruar familjen time. Asnjë nuk është në gjendje të dëmtojë imazhin tim, Zoti është i madh dhe i fuqishëm dhe këto femra që më kanë kritikuar, e di se ju keni tradhtuar po ashtu, por prapë komentoni. Keni shkatërruar tashmë lidhjen time, çfarë dëshironi më tepër? Nuk e dini dëmin psikologjik që keni shkaktuar me urrejtjen e adresuar ndaj meje. Të gjithë bëjnë gabime dhe mund të falim nga zemra jonë. Zoti më jep forcë”.

Ai më pas është dukur sikur kërkon t’i rikthehet partnerja.

“Unë dua të kthehem të jetoj këto momente me ty në krah. Më vjen vërtet keq dhe kjo është arsyeja pse dola në publik për të komentuar këtë çmenduri, në mënyrë që të kërkoj falje. Jam shumë konfuz, por dua që të kthehesh”, ka shkruar ai.