Kuriozitet

Adoptimi i qenve nga Kosova në SHBA

Adoptim të qenve endacakë nga Kosova për në SHBA është duke bërë aktualisht strehimorja “Prishtina Dog shelter”.

Kjo organizatë joqeveritare si mision kryesor ka shpëtimin, trajtimin dhe strehimin e përkohshëm të qenve që janë të lënduar në rrugë.

Pas kësaj, ata i përgatisin qentë për adoptim.

Përveç në Kosovë, për adoptim këto kafshë po kërkohen edhe në Amerikë, raporton KTV.

Sipas vullnetares amerikane, Rayan Çavdërbasha sfidë është dërgimi i kafshëve.

Në faqen e vet në Facebook “Prishtina Dog shelter” ka kërkuar ndihmë nga qytetarët që mund të udhëtojnë në drejtim të SHBA-së ose Kanadasë.

“Janë shumë qen që po presin të shkojnë në SHBA, disa nga ta me probleme shëndetësore. Ata duhet të udhëtojnë për në SHBA, sa më parë për të marrë ndihmën e nevojshme. Nëse e njihni dikë që do të udhëtojë me aeroplan për në SHBA apo Toronto të Kanadasë, ju lutem na njoftoni. Vullnetarizmi nuk ka çmim. Ne i përgatisim të gjitha dokumentet, rezervimin e qenit dhe të tjera”, thuhet në thirrjen për ndihmë.

80 qen janë adoptuar vitin e kaluar në Kosovë e jashtë saj, thonë në “Prishtina Dog Shelter”. Sipas tyre, këtë vit janë trajtuar 50 kafshë të tilla endacake.

Sipas drejtorit të qendrës, Mentor Gashi, shumicën e qenve i gjejnë vetë në rrugë por edhe shumë të tjerë i marrin me ndihmën e qytetarëve.

I gjithë ky trajtim nuk do të ishte i mundur pa ndihmën e donatorëve, tregon Rayan. Sipas saj, përveç me mjete financiare dhe ushqim për kafshët, ka edhe shumë vullnetarë që qentë i shëtisin gjatë ditës.

“Prishtina Dog Shelter” gjendet në Graçanicë dhe që nga viti 2014 bën trajtimin e këtyre kafshëve nga e gjithë Kosova.