Miliarderët e botës më të pasur se 60% e popullsisë së planetit

Miliarderët e botës më të pasur se 60% e popullsisë së planetit

20 January 2020 10:59

“Ekonomitë seksiste” po përkeqësojnë pabarazinë globale të të ardhurave, ndërsa numri i miliarderëve është dyfishuar në dekadën e fundit, thuhet në raportin më të fundit të organizatës ndërkombëtare të bamirësisë, Oxfam.

Raporti me titull “Koha për kujdes”, del në përfundimin se 2,153 miliarderët e botës zotërojnë më shumë pasuri se 4.6 miliardë njerëz, që përbëjnë 60 për qind të popullsisë së planetit.

“Hendeku mes të pasurve dhe të varfërve nuk mund të zgjidhet pa politika që luftojnë pabarazinë dhe shumë pak qeveri janë të angazhuara në këtë drejtim”, tha shefi ekzekutiv i Oxfamit në Indi, Amitabh Behar. Oxfam gjithashtu vëren se 22 burrat më të pasur në botë kanë më shumë pasuri sesa të gjitha gratë në Afrikë.

Raporti vjetor i tij për pabarazinë globale publikohet zakonisht përpara çeljes së Forumit Botëror Ekonomik, i cili këtë vit i nis punimet në Davos të Zvicrës në datën 21 janar.

“Ekonomitë tona të çorientuara po mbushin xhepat e miliarderëve dhe bizneset e mëdha, në kurriz të njerëzve të thjeshtë”, tha Behar, i cili ndodhet në Davos për të përfaqësuar grupin Oxfam të organizatave joqeveritare.

Vetëm në Australi, nga sa thuhet në raport, secili prej miliarderëve të vendit, vitin e kaluar u pasurua me të paktën gjysmë miliard dollarë.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme