I ulur para kompjuterit, 22-vjeçari jug-korean, është duke praktikuar intervistën për një vend pune.
Por në fund, nuk është person me të cilin ai bisedon.
Është kompjuteri me inteligjencë artificiale që vlerëson kapacitetin e tij për punën e ofruar.
Kim Seok-wu, është student i menaxhmentit në një prej universiteteve më të mira të Koresë Jugore.
Kjo është hera e dytë që studenti intervistohet nga inteligjenca artificiale. Në herën e parë ai dështoi në intervistën për një dyqan shitjesh.
Për secilën pyetje, i intervistuari ka kohë dy minuta. Teksa përgjigjet, inteligjenca artificiale analizon gjestet e tij, raporton Reuters.
“Kërkuesit e punëve shpesh i ekzagjerojnë kapacitetet e tyre me qëllim që të fitojnë një vend pune, por nuk mund ta mashtrosh inteligjencën artificiale për këtë punë. Në rast se bëhet edhe më e famshme inteligjenca artificiale, them se jam i pashpresë për të gjetur punë”, thotë Seok-wu, transmeton KTV.
Inteligjenca artificiale tashmë ka filluar të përdoret nga kompanitë për zgjedhjen e kandidatëve dhe zbulimin e rezymeve plagjiaturë.
Vlerësohet se në Korenë e Jugut 131 kompani përdorin inteligjencën artificiale për punësim.
Algoritmi i inteligjencës artificiale vlerëson 37 kapacitete të ndryshme të aplikuesve, përfshirë edhe sjelljen e tyre të nder vetëdijshme.
Por me rritjen e popullaritetit të inteligjencës artificiale në procesin e punësimit, është rritur edhe shpresa për ta mposhtur këtë inteligjencë.
Shumë shkolla tashmë e kanë bërë biznes mësimin e aplikuesve se si të përgjigjen në pyetje dhe të mbajnë një qëndrim më pozitiv para inteligjencës artificiale.
“Inteligjenca artificiale është në trend. Koreja Jugore ka problem me punësimin e të rinjve dhe konkurrenca në mesin e studentëve është bërë shumë e frikshme. Ne u ndihmojmë studentëve që të kalojnë me sukses intervistat me inteligjencën artificiale”, thotë Park, trajnues për inteligjencën artificiale.