Kuriozitet

Kështjella me 25 mijë pronarë

Krishtlindjet janë bërë shkas që 25 mijë njerëz nga e gjithë bota të bëhen bashkë në një kështjellë të moçme në jugperëndim të Francës.

Këta 25 mijë persona kishin blerë nga një copë të kështjellës La Mothe Chandeniers, si pjesë të një plani për ruajtjen e saj, raporton emisioni Reciklim i KTV-së.

Dartanjan, një kompani për ruajtjen e trashëgimisë franceze, në vitin 2017 nisi një projekt të veçantë për restaurimin e kështjellës së shekullit 13.

Kjo kompani kërkoi nga blerësit potencial që të kontribuojnë me nga 50 euro për restaurimin e kështjellës.

25 mijë persona nga 115 shtete kontribuuan me një mesatare prej 80 eurosh. Së bashku tubuan 1.6 milionë euro për të blerë kështjellën nga një pronar privat.

Ata tejkaluan edhe shifrën minimale prej 500 mijë eurosh.

Shumë prej këtyre pronarëve jetojnë në afërsi të kështjellës dhe ndihmojnë në pastrimin e saj.

Sivjet, ata u bën bashkë për të dekoruar oborrin dhe shkëmbyen dhurata.

Bankieri Willi Nanlohij që prej fëmijërisë ëndërroi të kishte një kështjellë të veten.

Kështu, së bashku me bashkëshorten Hildan, udhëtuan nga Holanda që për herë të parë ta vizitojnë Kështjellën.

“Ishte ndjenjë e veçantë. Është shumë e bukur edhe pse është duke u rrënuar”, ka thënë Willi.

Gjendja e kështjellës u përkeqësua në vitin 1932 kur u përfshi nga flakët që shkatërruan pjesën më të madhe të strukturës së saj.

Në vitin 1654, një aristokrat francez u vendos në të dhe e transformoi kështjellën në një prej pronave më luksoze të Francës.

Mirëpo është lënë pas dore që prej fatkeqësisë së vitit 1932.

Historia e saj ka joshur shumë prej blerësve të rinj siç është çifti britanik Robert dhe Suzanne Powell.

“Kemi bërë mirë që kemi investuar dhe që interesohemi në këtë pronë. Gjatë kësaj periudhe kemi parë progresin që është bërë për ta kthyer në jetë këtë kështjellë”, ka thënë Robert Powell.

Ani pse nuk mund të restaurohet krejtësisht, kompania synon që të krijojë një dhomë të vogël në sahat kullë. Një prej pjesëve të ruajtura më mirë.

Kjo dhomë do t’u ofrohet çifteve që dëshirojnë të kalojnë fundjavën në mes të rrënojave.