Kuriozitet

Ungjilli i gruas së Jezu Krishtit, falsifikim apo dëshmi e humbur?

Dishepujt i thanë Jezusit:… Mohoje, Maria nuk është e denjë për të… Jezusi u tha atyre:”Gruaja ime…është në gjendje të jetë dishepulli im… Le të tërbohen njerëzit e ligj… Sa më përket mua, unë jam me të që…

Katër ungjijtë kanonikë të Mateut, Markut, Lukës dhe Gjonit, janë rrëfimet okulare të jetës dhe të mësimeve të Jezusit të Nazaretit, të shkruara në shekullin I-të. Këto libra, formojnë fillimin e Dhjatës së Re, dhe sigurojnë bazën teologjike për 2.4 miliardë të krishterë që jetojnë sot në botë.

Ungjijtë e tjerë, që përmenden në të dhënat historike, por kanë humbur përgjatë historisë, ose janë cilësuar si herezi nga institucionet ortodokse.

Sidoqoftë, që nga mesi i shekullit XX-të janë zbuluar disa ungjij jo-kanonikë. Qëllimi i këtij artikulli, nuk është të diskutojë implikimet teologjike të veprave të tilla të harruara, dhe as të përfshihet në botën e teorive anti-katolike të konspiracionit, por thjesht të vlerësojë vërtetësinë e këtyre dokumenteve nga perspektiva laike.

Ajo që shqyrtohet në këtë artikull, është Ungjilli i diskutueshëm i Gruas së Jezusit (GJW). Ky papirus me madhësinë e një karte debiti, mund të duket në pamje të parë i padeshifrueshëm, por përfshinte fjalinë e mëposhtme të tekstit:”Jezusi u tha atyre:Gruaja ime…”

Kur kjo pjesë e vogël papirusi, u shfaq në Kongresin Ndërkombëtar të Studimeve Koptike më 18 shtator 2012 në Romë, shkaktoi një bujë mediatike, dhe fitoi menjëherë përkrahës por dhe kritikë të ashpër. Gati menjëherë Vatikani, e denoncoi tekstin si një falsifikim.

Dhe kjo nuk është për t’u habitur, duke pasur parasysh qëndrimin e Kishës Katolike për klerin, përfshirë Jezusin, që duhet të jetë beqar. Është pikërisht fjalia e katërt në këtë tekst, që thotë “Jezusi u tha atyre:“Gruaja ime …”, ajo që ka shkaktuar kaq shumë debate.

Ideja që Jezusi i Nazaretit ka qenë i martuar, është një element kryesor i shumë teorive të konspiracionit. Librat shumë të shitur “Gjaku i Shenjtë”, “Graali i Shenjtë” (1982) dhe “Kodi i Da Vinçit” (2003), mund t’i atribuohen interesit modern mbi teorinë e linjës së gjakut.

Sidoqoftë, këto pohime nuk bazohen mbi shkrimet e shenjta, përveçse nëse ju e konsideroni Ungjillin jo-kanonik të Filipit, apo dëshmi të tjera historike, që konsiderohen përgjithësisht si vepra pseudohistorike. Shumica e burimeve dhe dijetarëve, si laikë ashtu edhe teologjikë, thonë se Jezusi ishte beqar, diçka që nuk ishte jashtë zakonit të kohës, madje pritej nga një rabin i shekullit I.

Ungjilli GJW është i shkurtër, përbëhet nga vetëm 8 rreshta të shkruara në gjuhën koptike. Ajo është një gjuhë afro-aziatike, që flitej në Egjipt në shekulli II deri në shekullin e XVII-të, dhe Kisha Ortodokse Koptike e Aleksandrisë, e përdor ende atë si një gjuhë liturgjike.

Të dhënat e radiokarbonit të fragmentit të papirusit, të studiuar nga Noren Turos i Universitetit të Harvardit, në bashkëpunim me Institutin Oqeanografik “Hole Woods”, dhanë një datë mesatare të vitit 741 Pas Krishtit. Megjithatë, kjo datë nuk e përjashton mundësinë që teksti të jetë një falsifikim modern, pasi fragmente të papirusit që datojnë në Antikitetin e Vonshëm dhe Mesjetën e Hershme, janë relativisht të lehta për t’u zbuluar.

Pra, mosha e papirusit nuk është as një dëshmi bindëse për autenticitetin apo falsifikimin e tij.

Edhe në qoftë se teksti do t’i përkiste Antikitetit të Vonë apo Mesjetën e hershme, ajo nuk na tregon asgjë rreth Jezusit historik, dhe as nuk do të ndryshojë doktrinat e krishtera tashmë në fuqi. Por në vend të kësaj, do të ofronte një pasqyrë të besimeve të disa komuniteteve të krishtera ezoterike.

Pra, a është Ungjilli i Gruas së Jezusit, asgjë më shumë se sa thjeshte një falsifikim? Stili i shkrimit të tekstit, siguron dëshmi më bindëse të falsifikimit. Fjalët koptike janë shkruar, duke përdorur një furçë, në krahasim me lapsat prej kallami që përdoreshin zakonisht për të shkruar mbi papirus në kohën e Jezusit.

Gabimet gramatikore dhe ato drejtshkrimore në Ungjill, nënkuptojnë se ai është shkruar nga

një folës jo profesionist i gjuhës koptike. Mund të pritej që gjuha koptike të ishte një gjuhë e rëndësishme letrare në shekullin VI-të, prandaj shkrimtari mund ta ketë mësuar atë si gjuhë të dytë, ose ta ketë shkruar me një gramatikë të dobët.

Më problematik është fakti që pjesa më e madhe e tekstit në GJW, shihet edhe në Ungjillin jo-kanonik të Tomës, tekstit më të njohur koptik të krishterëve të hershëm. Shumë rreshta nga Toma, janë përsëritur gati tërësisht në GJW. Më e rëndësishmja, në rreshtin e dytë shkruhet: “Dishepujt i thanë Jezusit”.

Kjo mund të tingëllojë si një deklaratë e përkryer, por kini parasysh faktin që ky formulim i saktë, nuk gjendet në asnjë prej ungjijve kanonikë, por shfaqet 3 herë në Ungjillin e Tomës. Rreshti i katërt në GJW, ajo që përmban termin “gruaja time”, nuk gjendet në Ungjillin e Tomës. Duket se kjo frazë është futur në tekst, për ta bërë atë më sensacional.

Një tekst i ngjashëm me atë të GJW, një fragment i Ungjillit të Gjonit, konsiderohet universalisht një falsifikim. Karen King, studiuesja që e prezantoi e para ungjillin GJË në vitin 2012, e mori këtë tekst në të njëjtën kohë. Ashtu si GJW, edhe ai është e shkruar me të njëjtin stil, thuajse me siguri nga i njëjti person.

Ky kopje të Ungjillit të Gjonit, datojnë diku midis shekujve VII-IX por përdorin një dialekt koptik, që u zhduk në shekullin VI-të. Studiuesit, kanë një ide shumë të saktë se si është falsifikuar ky tekst. Sipas tyre, teksti u kopjua nga përkthimi i Ungjillit të Gjonit në vitin 1923 nga Herbert Tompson, i cili mund të gjendjet lehtë në formatin PDF në internet.

Në përmbledhje, mund të themi se të gjitha dëshmitë sugjerojnë se GJW është një falsifikim modern, i shkruar nga i njëjti person, i cili ka falsifikuar një kopje të Ungjillit të Gjonit. Kjo është pikëpamja kryesore në mesin e studiuesve,. Edhe Karen King, historiania që e prezantoi për herë të parë këtë objekt duke e mbrojtur për vite, tha në deklaratë në qershorin e vitit 2016, se papirusi ka gjasa të jetë i falsifikuar./ Ancient Origins – Bota.al