Kuriozitet

Dashuria e ndaluar në Korenë e Veriut ngjallet në Vietnam

Pham Ngoc Canh u njoftua me Ri Yong Huin gati 50 vjet më parë në Korenë e Veriut. Ai ishte student vietnamez dhe ajo, një veri-koreane, e kishte të ndaluar ta dashuronte. “Prejse e pashë, isha e pikëlluar. E dija se ishte dashuri e pamundur”, thotë 70-vjeçarja Ri që tash jeton bashkë me Canhin në një apartament të vogël të periudhës sovjetike në kryeqytetin e Vietnamit, Hanoin.

Në vitin 1967, derisa Vietnami ishte në luftë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Canh ishte në mesin e 200 studentëve vietnamezë që ishin dërguar në Korenë Veriore për të fituar përvojën që shtetit do t’i duhej për rindërtim pas përfundimit të luftës.

Disa vjet më vonë, Canh ia zuri syri Ri-në teksa punonte në laboratorin e një fabrike në Korenë Veriore. “Thash me veten: ‘Do të martohem me këtë vajzë’”, tregon Canh që mori zemër për t’iu afruar Ri-së që t’ia kërkonte adresën e shtëpisë, transmeton KTV.

Pas shkëmbimit të disa letrave, Ri u pajtua që Canh ta vizitonte në shtëpi. Ai duhet të ishte i kujdesshëm. Një bashkëluftëtar vietnamez ishte rrahur keq kur u kap me një vajzë të qytetit. I veshur me rroba koreano-veriore, Canh për tre orë udhëtoi me autobus dhe eci dy kilometra deri te shtëpia e Ri.

Ky rrugëtim i zgjati çdo muaj deri në kohën kur u kthye në Vietnam gjatë vitit 1973. Pesë vjet më vonë, Canh si punëtor i institutit të inxhinierisë kimikale të Vitnamit donte të shkonte në Korenë Veriore. Ai kërkoi t’i bashkohej udhëtimit turistik dhe e takoi Ri-në.

Secilën herë që e shihnin njëri-tjetrin, Ri thotë se i thyhej zemra me mendimet se nuk do të takoheshin më. Në vitin 1992 u takuan përsëri kur Canh shkoi në Kore si përkthyes i një delegacioni të sportit, por nuk e takoi Ri-në.

Kur u kthye në Hanoi, Canh mori vesh se ajo ia kishte dërguar një letër. I shkroi se ende e donte. Në fund të viteve ’90 Koreja Veriore ishte në krizë urie dhe një delegacion shkoi në Hanoi për të kërkuar oriz. Canh ishte aq shumë i shqetësuar për situatën dhe mblodhi shtatë tonë oriz si ndihmë. Ky u cilësua si akt bamirës dhe i hapi rrugë ri-bashkimit të tyre. Edhe sot këto dy shtete e kanë të ndaluar lidhjen me të huajt, por në vitin 2002 ata u martuan dhe po shijojnë jetën në Hanoi.

Shpresojnë se takimi i Donald Trumpit me Kim Jong-Unin në Hanoi do të ndihmojë në përmirësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Kur morëm vesh se shoku Kim Jong-Un do të takohet me Trumpin, prisnim se do të ndodhte riunifikimi. Por është e vështirë të realizohet për dy-tre ditë. Shpresojë të shkojnë gjërat mirë”, thotë Ri.